1 Qershor sot është edhe në Gaza!…

Shpërndaje

Nga Albert Vataj

1 Qershor sot është edhe në Gaza!

Në çdo 1 Qershor, bota flet me një zë më të butë, dëgjon me përulësi më të lartuar në vetëdijësim, zgjohet së bashku me fëmijën për të festuar me fëmijën që sheh te prindi vetë vullnetin e Zotit, të zbritur në atë shëmbëllim mrekullibërës.
Sot gjithashtu është dita kur shikimi dhe frymëmarrja ndalen mbi ata që ende nuk dinë ta shprehin dhimbjen me fjalë, por e përçojnë atë me sytë dhe gjithë qenien e tyre. Një pamje që të dithëron, një dhimbje që zgjihet dhe të shpon tejpërtej, duke të të zgjuar, duke të të përmendur, duke të dëshmuar se çfarë është kjo ditë për ata që nuk mund të jenë fëmijë, nuk mund të jenë asgjë që jeta u ka dhënë. Por ata janë tragjikisht një statistik lufte mizore, një numër në axhendat politike, një arsye për të besuar se vetë apokalipsi vjen për të treguar fytyrën e vet më të kobshme.

Në shumë vende, 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e fëmijëve, vishet me ngjyra e festës, me harenë e fëmijëve, me këngë e lodra, të qeshura dhe magjinë e mrekullisë së jetës që vjen vetëm nga ata fëmijët.

Në këtë tablo të ngjyrshme kundrojmë fytyra të ndriçuara nga drita dhe gazmimi i atyre që sjellin dritë në jetë dhe lajmërojnë ëndrra të magjishme në dëshirimet e tyre. Ata janë e sotma dhe e ardhmja.

Por në Gaza, mes rrënojave, kujave të vdekjes, thirrjeve për ndihmë, duarve që zgjaten në askund fëmijët nuk dinë ç’është festa. Nuk dinë ç’është paqja. Ata rriten në strehën e pasigurisë, rriten më shpejt se fëmijëria, flenë me sy hapur e zgjohen me gjëmimin e shpërthimeve.
Ata nuk dinë nëse mëngjesi do t’i gjejë me prindërit, me shtëpinë, me jetën. Dhe ëndrrat e tyre, ato pak që kanë mbetur, mund t’ua këpusë vdekja në një çast, e ftohtë, e verbër, e përsëritur.

Sot nuk është vetëm dita për të mbrojtur mirëqenien dhe të drejtat e të gjithë fëmijëve. Sot është edhe dita për të shikuar me sytë e shpirtit, për të reflektuar me përgjegjësinë e njerëzores, mbi atë që po ndodh në Gaza, atë çmim absurd që po e paguajnë fëmijët në një luftë edhe më absurde.

Në vend të kartolinave e tullumbaceve, ata kanë rrënoja që mbulojnë kujtimet. Në vend të ëmbëlsirave, ata kanë pluhurin e një qyteti që është tretur si një ëndërr e djegur.
Ka fëmijë që mësojnë fjalën “frikë” para se të mësojnë fjalën “dashuri”, që e shikojnë qiellin jo për të kërkuar yje apo dritë, por për të shmangur dronët.

Ka fëmijë që nuk luajnë më, sepse loja është kthyer në mbijetesë.
Dhe megjithatë, 1 Qershori është edhe për ata.
Ndoshta më shumë për ta, sesa për këdo tjetër.
Ky nuk është një tekst për të trishtuar. Është një kujtesë me zemër, një thirrje që të mos heshtim. Të mos e pranojmë si normale atë që është krim. Të mos e shohim luftën si sfond lajmesh, por si plagë të përbashkët të ndërgjegjes njerëzore.
Të mos e lejojmë që fëmijëria e atyre që nuk mund të festojnë sot, të shuhet pa një dritë shprese.

Sepse zëri i tyre, loja e tyre, dëshirat e tyre janë kapitulli më i bukur i ardhmërisë, dhe ne s’mund ta lejojmë që ky kapitull të digjet pa u shkruar.
Le të mos u japim vetëm festë atyre që kanë gjithçka. Le t’u japim zë atyre që nuk kanë asgjë, veç shpirtit që rënkon në heshtje.
Sepse, po, 1 Qershor sot është edhe në Gaza.

Shpërndaje