25 gola së bashku nga “BMD”, Vllaznia krijon treshen e frikshme…

Shpërndaje

Vllaznia reagoi pas humbjes me Egnatian me fitoren 1-3 në transfertë ndaj Teutës, duke rikthyer qetësinë në skuadër. Shkodranët u shfaqën dominues në duelin e fundit ndaj durrsakëve.

Por përveç fitores dhe 3 pikëve, ajo që kënaq në kampin kuqeblu është vija e parë sulmuese e skuadrës. Në ndeshjen ndaj Teutës shënuan të gjithë sulmuesit. Nisi me Malën, i cili pavarësisht se ndaj Teutës u aktivizua në mesfushë, arriti të gjente golin, duke shkuar në kuotën e 6 rrjetave këtë sezon, rekord personal për prizrenasin.

Nuk ndalet as Balaj, me kapitenin, që gjeti golin e 14-të në kampionat nëpërmjet një penalltie. Dhe “qershia mbi tortë” do të ishte Dodaj, që me një “perlë” do të shënonte golin e tretë të sfidës dhe të pestin sezonal.

Një total prej 25 golash nga treshja Balaj-Mala-Dodaj këtë sezon që për herë të parë shënojnë të gjithë së bashku në një ndeshje.

Shpërndaje