27 janar, nis kompensimi financiar i pronarëve – Pronat e të cilëve preken nga ndërtimet informale. Procesi, i pakufizuar në kohë…

Shpërndaje

Agjencia e Trajtimit të Pronave, bën me dije se nga data 27 janar 2025 do të nisë procesi i pranimit të kërkesave të subjekteve përfitues, për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale. Ky proces nuk do të jetë i kushtëzuar dhe i kufizuar në kohë.

Të gjithë subjektet e interesuara mund të aplikojnë online në portalin e-albania “aplikim për kompensim në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale”.

Sipas ATP, subjekti aplikues, në momentin e aplikimit online, duhet të ngarkojë dhe më pas të dërgojë nëpërmjet shërbimit postar dokumentacionet e nevojshme, si kërkesën për kompensimin e pronës; dëshminë e trashëgimisë; prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim; fotokopjen e dokumentit të identifikimit, si dhe vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare, ku do të transferohet vlera financiare e përfituar. Gjithashtu duhet të dorëzojnë dhe mandat pagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën 2 000 lekë.

Sipas njoftimit të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.

Referuar vendimit të fundit të qeverisë më 9 janar, për këtë proces janë në dispozicion rreth 1 miliard lekë, për një sipërfaqe totale kompensimi prej 88 mijë e 358  metër katrorë./scan/

Shpërndaje