4 të ndaluar për krime zgjedhore, drejtuesi i SPAK Altin Dumani në Shkodër e Lezhë, takon Task Forcën…

Shpërndaje

Kur na ndajnë tre ditë nga zgjedhjet parlamentare, me urdhër të SPAK ndalohen katër persona në Shkodër, operacioni i parë i këtij lloji që në fokus ka parandalimin e krimeve zgjedhore.

Byroja Kombëtare e Hetimit ushtroi kontrolle në disa zona të qytetit verior: Malësi e Madhe, Barbullush, Bushat, Mjedë e Vau i Dejës.

Ndërkohë Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani zbarkoi në terren në këtë zonë, ndërsa mësohet se ka bërë takime edhe në Lezhë.

Situata e tensionuar politike e ditëve të fundit dhe denoncimet e kandidatit për të Partisë Demokratike Gjin Gjoni, për shitblerje votash dhe trysni ndaj votuesve kane vënë në lëvizje Prokurorinë Speciale.

Drejtuesi i SPAK Altin Dumani zhvilloi edhe në këtë qytet një takim me Task Forcën e për krimet zgjedhore, ku pjesë e tyre do të jenë dhe drejtuesit e policisë.

Ndërkohë kontrolle janë bërë më herët edhe në Elbasan. Sot, SPAK publikoi edhe një bilanc të përditësuar të të dhënave për krimet elektorale.

Numri i kallëzimeve është rritur nga 3 ditë më parë, e në total kjo prokurori ka administruar 123 materiale, nga të cilat 35 janë regjistruar.

Shpërndaje