
Më 12 maj, Vllaznia do të përballet me Egnatian në finalen e madhe të Superiores, një ndeshje që mund të jetë pikë kthese në historinë e klubit më të vjetër në Shqipëri. Në rast fitoreje, kuqeblutë do të kurorëzohen kampionë për herë të dhjetë dhe do të vendosin për herë të parë yllin e artë në fanellën e tyre.
Ky moment historik vjen pas një udhëtimi të jashtëzakonshëm nën drejtimin e presidentit Alban Xhaferi, i cili mori drejtimin e klubit në sezonin 2020-2021, pas një periudhe të errët për skuadrën.
Në sezonin 2018-2019, Vllaznia përjetoi njërën nga periudhat më të vështira në historinë e saj, duke rënë nga kategoria për herë të parë. Asnjë tifoz nuk e kishte imagjinuar një ditë të tillë. As sezoni pasardhës nuk solli qetësi: vendi i 8-të dhe mbijetesa në Superiore përmes play-off-it.
Por gjithçka ndryshoi me ardhjen e Xhaferit. Në sezonin e tij të parë si president, Vllaznia u kthye fuqishëm, duke përfunduar kampionatin me pikë të barabarta me Teutën (66), dhe duke humbur titullin vetëm për shkak të golavarazhit. Prej atëherë:
- 5 vite rresht pjesëmarrje në Europë
- 2 Kupa të Shqipërisë të fituara
- 5 vite në garë për titullin kampion
Nën drejtimin e Xhaferit, Vllaznia jo vetëm është stabilizuar, por është kthyer në një nga skuadrat më konkurruese të vendit. Edhe pse rrugës ka pasur kritika dhe gabime në menaxhim, kontributi i tij në ringritjen dhe konsolidimin e klubit është i pakundërshtueshëm.
Të hënën, Shkodra dhe gjithë tifozëria kuqeblu do të mbajnë frymën pezull. Alban Xhaferi është vetëm një hap larg nga hyrja në historinë e lavdishme të këtij klubi./RealitetiPost/
