
Më 1 qershor 2025, nga porti i Catanias në Sicili, është nisur anija “Madleen” me destinacion Rripin e Gazës. Misioni i saj është të sjellë ndihma humanitare dhe të sfidojë bllokadën detare të vendosur nga Izraeli.
Në bord ndodhen 12 aktivistë ndërkombëtarë, mes tyre figura të njohura si Greta Thunberg, Liam Cunningham dhe eurodeputetja Rima Hassan. Pjesë e ekuipazhit janë edhe aktivistë nga vende si Gjermania, Franca, Brazili, Turqia dhe Holanda.

Anija transporton furnizime thelbësore si ushqime për foshnje, oriz, miell, produkte higjienike dhe pajisje mjekësore. Ajo është pjesë e një nisme të organizuar nga Freedom Flotilla Coalition, e cila prej vitesh përpiqet të theksojë krizën humanitare në Gaza dhe të sigurojë ndihma për popullatën civile.
Gjatë udhëtimit, “Madleen” ka shpëtuar katër emigrantë sudanezë pranë brigjeve të Libisë. Pjesa tjetër e refugjatëve është kthyer në Libi, duke nxitur reagime nga organizatorët dhe institucionet ndërkombëtare.

Izraeli ka paralajmëruar se nuk do të lejojë anijen të hyjë në ujërat pranë Gazës dhe e ka konsideruar këtë veprim si një provokim. Autoritetet izraelite po monitorojnë lëvizjen e anijes me drone, ndërsa vetë aktivistët e kanë përshkruar misionin si paqësor dhe humanitar.
Aktualisht, “Madleen” ndodhet pranë bregdetit egjiptian dhe pritet të arrijë në afërsi të Gazës pas disa ditësh. Situata po ndiqet nga afër nga organizatat ndërkombëtare dhe mediat./RealitetiPost/
