Balluku inspekton punimet – Ministrja e Infrastrukturës sheh nga afër ecurinë në Kthesa e Berdicës- Ura e Bahçallëkut…

Shpërndaje

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ishte këtë të mërkurë në Shkodër, ku zhvilloi një inspektim në kantierin e rrugës “Kthesa e Bërdicës – Ura e Bahçallëkut”, një nga projektet infrastrukturore me rëndësi për zonën hyrëse të qytetit.

Gjatë bashkëbisedimit me inxhinierët dhe punonjësit, Balluku u ndal te veçantia e këtij projekti, që përfshin zgjerimin e rrugës dhe ndërtimin e një ure të re paralele me ekzistuesen.

Ajo theksoi se ura aktuale nuk do të preket në strukturë, por do t’i nënshtrohet vetëm riparimeve të vogla për qëndrueshmëri më të madhe.

Sipas saj, segmenti prej 1600 metrash do të shërbejë si hyrje e re për në Shkodër, ndërkohë që ura e re, me gjatësi 180 metra do të jetë me dy korsi kalimi dhe do të ndërtohet paralel me urën ekzistuese. Balluku shtoi se, përveç infrastrukturës rrugore, projekti përfshin edhe urbanizim me trotuare, ndriçim dhe zona të gjelbëruara, duke sjellë një transformim të plotë të kësaj pike hyrëse drejt qytetit.

Ky investim pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin dhe të përmirësojë ndjeshëm standardet e infrastrukturës në Shkodër.

Shpërndaje