
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ka ndarë një mesazh mirënjohjeje për kompozitorin dhe figurën e njohur të kulturës shkodrane, Bardhyl Hysa, me rastin e 65-vjetorit të lindjes dhe daljes në pension.
Bardhyl Hysa ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për më shumë se tri dekada pranë Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”, duke u shndërruar në një emër të pazëvendësueshëm në jetën artistike dhe kulturore të qytetit.
Postimi i plotë:
Bardhyl Hysa është një nga figurat më emblematike të jetës kulturore të qytetit tonë. Biseda me të, me rastin e 65-vjetorit të lindjes dhe daljes në pension, ishte tejet e veçantë. E falënderova për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë për më shumë se tri dekada pranë Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”. Kontributi i tij ndër vite është i pazëvendësueshëm, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në atë qytetar dhe njerëzor, si një përfaqësues i denjë i vlerave më të mira të qytetit tonë. Si kompozitor, ai ka krijuar dhjetëra këngë për fëmijë dhe të rritur. Gjithashtu ka qenë ideator dhe drejtues artistik i disa prej aktiviteteve më të rëndësishme dhe më jetëgjata të qytetit në fushën e muzikës, si Çmimi “Pjetër Gaci” dhe “Ahengu Shkodran”, ndër të tjera. Falë punës dhe përkushtimit të tij Qendra Kulturore “Pjetër Gaci” ka fituar dhjetëra çmime kombëtare dhe ndërkombëtare me trupa artistike si Orkestra Frymore, Ansambli i Këngëve dhe Valleve dhe shumë grupe të tjera artistike. I uroj jetë të gjatë dhe jam i bindur se kontributi i tij për artin në Shkodër do të vijojë akoma më tej.


