
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar se nëse ai vjen në pushtet, ka në plan që naftën në Shqipëri të mos e lejojë të shitet më shtrenjtë se ajo në Kosovë, apo në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Berishës kjo (çmimi i lartë i naftës) është një formë e ndëshkimit të qytetarëve, duke u shprehur se nafta është e domosdoshme për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për ata që kanë mundësi.
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:
Rama nuk e bën këtë sepse Rama ka një koncept të veçantë.
Para se të vija këtu po e dëgjoja në një video që i thoshte një pensionisti se ç’punë ka pensionisti me naftën.
Pra, edhe naftën e konsideron si një privilegj të atyre që kanë, në një kohë kur nafta është energji dhe është e domosdoshme për të gjithë shqiptarët.
Ne do ta bëjmë këtë, nafta në Shqipëri nuk do shitet mbi çmimin që shitet në Kosovë dhe Maqedoni.
Kosova e merr nga Durrësi naftën. Nuk mund të taksohet nafta 1.1 euro. Që këtu është një ndëshkim për qytetarët.