
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi në Pogradec kandidatët e “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” dhe një pjesë të programit të forcës së tij politike.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se një nga masat kryesore të qeverisjes së tij do të jetë ulja e çmimit të naftës, duke garantuar se brenda 100 ditëve të para, litri i naftës nuk do të shitet me më shumë se ±10% të çmimit në Maqedoninë e Veriut apo Kosovë, çka nënkupton një ulje prej rreth 40%.
Ai premtoi gjithashtu vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh për çdo pensionist që aktualisht merr më pak se ky nivel, si dhe për qytetarët në ndihmë ekonomike, të papunë, studentët me bursë dhe fëmijët nga familjet me një prind.
Berisha u ndal edhe te rritja e pagës minimale në 500 euro, prezantimi i një “karte konsumatori” që do t’u mundësojë shtresave në nevojë blerjen e ushqimeve bazë me 20% ulje, si dhe rimbursimi 100% i barnave, sipas modelit italian.
Në fushën e ekonomisë dhe zhvillimit rural, Berisha premtoi dyfishim të buxheteve për bujqësinë, shëndetësinë dhe arsimin, si dhe subvencione të konsiderueshme për fermerët në mbjellje, blegtori dhe prodhimtari.