
Java që lamë pas ka shënuar një bilanc tragjik në rrugët e vendit, me nëntë persona që kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve automobilistike.
Aksidenti më i fundit ka ndodhur këtë të diel në aksin Berat-Dimal, pranë fshatit Otllak. Një 34-vjeçar nga Kuçova, duke drejtuar një automjet tip BMW, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë, ka ndërruar jetë pasagjeri, Lorenc Llangozi, 33 vjeç. Hetimet paraprake tregojnë se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë dhe lagështia në rrugë. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar nga policia për veprime të mëtejshme.
Aksi Berat-Dimal është një nga pikat më të rrezikshme në hartën e aksidenteve, duke regjistruar shpesh ngjarje me pasoja fatale.
Aksidentet fatale gjatë javës:
- E premte: Një 51-vjeçar humbi jetën në Kukës.
- E enjte: Një ditë tragjike me gjashtë viktima:
- Katër të rinj humbën jetën në Fushë-Prezë.
- Një mësuese 59-vjeçare u përplas për vdekje në Bulqizë.
- Një fëmijë 4-vjeçar ndërroi jetë pas një aksidenti në aksin Klos-Burrel, pasi u godit nga një furgon që doli nga rruga.
- 18 mars: Në Bërdicë, në aksin Shkodër-Velipojë, një 25-vjeçar, Xhevahir Maksuti, humbi jetën pasi u përplas me një automjet ndërsa po lëvizte me motor.
Këto ngjarje tragjike rikthejnë vëmendjen te nevoja për më shumë kujdes në rrugë dhe respektimin e rregullave të qarkullimit për të shmangur humbje të tjera jete./RealitetiPost/