
Një debat i ri ka shpërthyer në Shkodër lidhur me projektin e zhvillimit të lulishtes rreth xhamisë Ebu Beker. Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë Benet Beci prezantuan disa ditë më parë një projekt për këtë hapësirë publike, duke theksuar rëndësinë e tij për qytetin. Në këtë prezantim ishte i pranishëm edhe Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari.
Por, vetëm pesë ditë më vonë, Myftiu deklaroi gjatë hutbes së xhumasë se ai është kundër këtij projekti dhe se këtë qëndrim ia kishte bërë të ditur edhe vetë kryeministrit. Kjo deklaratë la të kuptohet se projekti nuk do të zbatohet.
Megjithatë, kryeministri Rama doli sot në një deklaratë publike duke theksuar se projekti do të realizohet, (me mirëkuptim).
Kjo situatë ka ngritur shumë pikëpyetje: A ka kompetenca qeveria të ndërhyjë në një pronë vakëfi? A do të ketë një përplasje më të madhe mes institucioneve fetare dhe atyre shtetërore? Dhe më e rëndësishmja, cili është vullneti i komunitetit besimtar të xhamisë?
Në një çështje kaq delikate, transparenca dhe dialogu janë kyçe për të shmangur përplasjet dhe për të gjetur një zgjidhje që respekton të gjitha palët./RealitetiPost/