
Nga Justinian Topulli
Për tridhjetë e kusur vjet, mbi një miliard muslimanë në botë ndodhen nën presion të vazhdueshëm politik, kulturor dhe mediatik. Ata përballen me një fushatë të organizuar stigmatizimi, duke u paraqitur padrejtësisht si prodhues të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Kjo narrativë mbizotëruese, në nivel ndërkombëtar, fokusohet qëllimisht mbi një pakicë, jo përfaqësuese, individësh të dëshpëruar dhe të frustruar, të cilët, të humbur mes zhgënjimit dhe mungesës së shpresës, shfryjnë mllefin e tyre, më shumë ndaj vetë muslimanëve, sesa ndaj botës jashtë.
Në të njëjtën kohë, po kaq gjatë, apo edhe më shumë, janë hartuar agjenda të heshtura dhe plane konkrete, për nënshtrimin dhe konformizmin e botës muslimane, përmes një politike të de-kulturimit ndaj Islamit dhe degradimit moral.
Ndërkohë e njëjta botë, që është në luftë me të ashtuquajturin “terrorizëm islamik”, mbështet dhe armatos një regjim kriminal si ai sionist. Dhe ndaj dhunës sistematike dhe gjenocidale që ky regjim ushtron mbi një popull të tërë, nuk reagon aspak me të njëjtin zell, por përkundrazi, zgjedhin të mbyllin jo vetëm njërin, por të dy sytë, e të shurdhojnë veshët para tij. Ky standard i dyfishtë nuk është thjesht politik; është amoraliteti dhe hipokrizia me të cilën jetojnë këta njerëz.
Shteti sionist, i mbështetur e i përkëdhelur nga Perëndimi, që operon me një ideologji të pastër aparteidi dhe gjenocidi, mu në zemër të botës muslimane, nuk është një përjashtim, por një pasqyrim i qartë i mendësisë që i sheh muslimanët si inferiorë dhe të ndëshkueshëm, ndërsa agresorin si “aleat strategjik”.
Nëse e gjithë kjo nuk është një shprehje e përplasjes së qëllimshme ideologjike, fetare e qytetërimore, atëherë çfarë është? Si mund të vlerësohet ndryshe një realitet i tillë, ku viktima që reziston me mish e me shpirt në truallin e vetë, dënohet si fajtor, ndërsa krimineli pushtues quhet partner strategjik?!
Palestina ka qenë dhe ka mbetur zemra e konfliktit, mes këtyre dy botëve, që nuk kanë për të gjetur kurrë paqe, pa i dhënë asaj zgjidhje përfundimtare.