“Ditën e festës së Bajramit, ai kaloi kufirin fshehurazi dhe shkoi tek e motra, në Vladimir të Malit të Zi, por aty e njohu një person, që lajmëroi UDB-në…”/ Historia e trishtë e shkodranit, Muhamet Toshi…

Share your love

Nga Klajd Kapinova

Memorie.al / Shumë vite më pare miku im, ish i burgosuri politik, Viktor Luka, duke parë koleksionin e pasur të fotografive (një arkiv për martirët antikomunistë), ndër të tjera më foli një nga një, për emrat e fotove historike të parashutistëve me uniformë ushtarake, të hedhur me parashuta, për misionet sekrete antikomuniste në Shqipëri. Ata të gjithë ishin stërvitur në kampet ushtarake në Itali, nga personeli amerikan dhe italian, të cilët u dërguan me mision në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, në bashkëpunim me Komitetin “Shqipëria e Lirë”, me qendër në New York. Fotot origjinale, i ruante si relike të rrallë shkodrani Zef Luka vëllai i Viktorit.

Tradhtia e agjentit të dyfishtë Kim Philby dhe vrasja e Hamitit

Për hir të realitetit, duhet vënë në dukje se shpesh edhe disa gazeta të djathta, bien në pozita të gazetave të majta komuniste në Shqipëri, duke iu referuar autorëve që kanë qenë në kupolën e Sigurimit komunist, saqë shpesh ata e nxjerrin Sigurimin shqiptar, si më i përsosuri në “dështimin” e komploteve kundër tyre.

Duke shfletuar faqet e librit: “La missione tradita” (Come Kim Philby sabotoge l’invasione dell’ Albania) me autor Nichollas Bethell, kushdo e kupton sesa fallco e komike, kanë qenë e mbeten filmat propagandistikë komunistë, që rishfaqen sot si “kryevepra” të kinematografisë “shqiptare”.

Grupi i kryesuar nga Hamit Toshi, ka rënë në grackë qysh në fillim, si pasojë e lojës së dyfishtë të agjentit Kim Philby, për të cilin “Gazeta Shqiptare”, asnjëherë nuk ka shkruar, a thua se nuk ka aq burime e literaturë për ta trajtuar, sesi veproi ai kundër parashutistëve shqiptarë dhe të huajave në shumë vendeve të tjera të Europës Perëndimore.

Kur grupi i kryesuar nga Hamit Toshi, ka rënë në tokë me parashutë, ata kanë qenë të tradhtuar qysh në ajër dhe jo si pasojë e aftësisë së Sigurimit. Parashutisti Rifat Zyberi, plagoset rëndë dhe, për të mos rënë i gjallë në duart e Sigurimit, vret edhe veten. Për më tej, tre të parashutistë të tjerë, kanë qenë të rrethuar dhe mbasi çanë rrethimin, kanë ikur në rrugën drejt pjerrësisë së Malit të Cukalit dhe më pas, janë nisur për në Dukagjin.

Me të arritur në Dukagjin, të lodhur, të uritur dhe pa gjumë, kanë shkuar për të bujtë në shtëpinë e mikut të tyre bashkëluftëtar, dukagjinasit parashutist, Dedë Hila, pikërisht në fshatin Kir. Ardhja e tyre, merret vesh nga një spiun malësor vendali, që punonte si hafije për llogari të Sigurimit të Shtetit. Mbas spiunimit, pas disa çastesh, shfaqen si miza toke në shkrepat e Dukagjinit, mbi 800 efektivë të reparteve të Forcave të Ndjekjes, të cilat edhe ato, për çudi, kryesoheshin nga një komandant, që ishte po vendali nga zona e Dukagjinit.

Menjëherë krisi pushka, mes parashutistëve të vendosur për të realizuar misionin e tyre dhe forcave të Sigurimit, që luftonin nën simbolin e Titos dhe të proletarëve pa fe, atdhe, ide dhe qëllim luftimi. Mbas dy orë luftimi të përgjakshëm, vritet heroikisht trimi i vendosur Azisi dhe, pas 6 orëve të tjera, mbetet i vrarë Hamit Toshi dhe i fundit, mbas 8 orë luftë, i vetëm përballë qindra ushtarëve dhe oficerëve të Forcave të Ndjekjes, vritet Dedë Hila, nga Dukagjini.

Edhe në atë gjendje të rëndë dhe skene makabre, përpara bjeshkëve të Dukagjinit, kunata e Dedës, një grua trimëreshë dhe fisnike e Kanunit të Lekë Dukagjinit, pa iu trembur syri, për pasojat që mund të rridhnin nga veprimi i saj, i kërkon komandantit komunist, ta lejonte për të marrë trupat pa jetë të të tre të vrarëve, për t’i varrosur.

Më pas, kur janë larguar Forcat e Ndjekjes dhe ato të Degës së Brendshme, ajo i ka varrosur të tre. Pas shumë dekadash, në vitin 1991, trupat e tyre janë gjetur, për t’u rivarrosur nga të afërmit e tyre me ceremoni, mbasi Zoja ka shënuar emrin e secilit prej tyre, duke e mbajtur sekret, deri kur ata janë rivarrosur nga bashkëvuajtësit.

Ngjarje të tjera të familjes së patriotit Hamit Toshi

Për aktivitetin e madh antikomunist të Hamitit, shkruan edhe miku i tij më i afërt, Zef Luka, i cili edhe kur shkoj nga SHBA-ës në Shqipëri, në vitin 1992, bëri një vizitë të shkurtër tek të afërmit e tij, duke u theksuar edhe një here, se e kishte patur një mik dhe shok shumë besnik dhe se ai kishte qenë me të vërtetë një antikomunist i vendosur.

I ndjeri Zef Luka, në një nga kapitujt e librit të tij, përmend edhe tradhtinë e madhe, që i bëri agjenti i KGB-së, Kim Philby, i cili i humbi Shqipërisë për ambicien e vet personale dhe për të holla, bijtë më të mirë dhe trima të popullit shqiptar dhe për më tepër, qytetit më antikomunist në Shqipëri, Shkodrës dhe rrethinave të tij, bijtë që sot nderojnë qytetin dhe familjet e tyre, për aktivitetin e vendosur antikomunist, me jetën që dhanë për çështjen e atdheut.

Kalvari i familjes Toshi

Familja Toshi dhe veçanërisht vëllezërit e Hamitit, do të ndiqeshin dhe survejoheshin nga Sigurimi i Shtetit, në çdo hap të tyre dhe do të persekutoheshin pa mëshirë. Kështu, në vitin 1956, Muhamet Toshi, lirohet nga burgu (që e ka vuajtur në kampet më të tmerrshme në Shqipëri, duke tharë këneta), mbasi kishte qëndruar në kampet e Maliqit, Vlorës dhe Bedenit të Kavajës.

Në fund, ai lirohet nga kampi i Rinasit. Ai është njohur me Prof. Arshi Pipën, Ragip Lohen, Hajdar Rusin, Muharrem Sahitin, Muhamet Fejzon, Prof. Sami Repishtin dhe shumë klerikë të besimeve të ndryshme fetare të Shqipërisë.

Fill mbas daljes nga burgu, ka shoqëruar për jashtë “burgut të madh” të Shqipërisë, shumë vetë, meqenëse e njihte shumë mirë zonën kufitare. Një ditë të bukur, pas ditës së fundit të festës së Bajramit, kalon kufirin dhe shkon për Bajram, tek motra e tij në Vladimir të Ulqinit. Atë e kishte njohur një person vendas, i cili menjëherë e spiunon tek forcat e UDB-së (Shërbimi Sekret i Jugosllavisë), dhe ata lidhen menjëherë me Sigurimin e Shtetit Shqiptar. Gjatë kthimit në vend-lindje i bëhet pritë dhe, pa paralajmërim, shkrehin breshëritë e automatikut “Kallashnikov”, mbi trupin e tij, (duke e lenë të vdekur në vend), i cili njihej në të gjithë atë zonë, si një besimtar i devotshëm i fesë islame.

Gjeografia e kalvarit dhe vitet e burgut të familjes Toshi

Menjëherë mbas vrasjes së Muhamet Toshit, forcat e Sigurimit, si të xhindosur, i vërsulen shtëpisë së familjes së tij dhe e bastisin, duke bërë rrëmujë, çdo vlerë materiale, të vënë me mund e sakrifica mbijetese. Për familjen, fillon menjëherë internimi, për tre vjet në fshatin Gradishtë të Lushnjës.

Pas mbarimit të periudhës së internimit që ishte caktuar për ta, ata kthehen në vendlindjen e tyre, në vitin 1956. Po atë vit, arratiset jashtë shtetit, djali i Muhametit, Xhemali, duke qenë i kërcënuar për jetën, nga spiunët e Sigurimit të Shtetit, dhe që nga ajo kohë e deri më sot, ai jeton në New York të ShBA-së.

Pas kësaj, familja e tij ri-internohet sërish, por kësaj here në fshatin Hajmel të Shkodrës (afër Vaut të Dejës), duke vuajtur dënimin aty, gjatë viteve 1955-1970. Pasi vuajtën plot 15 vite dënimin si të internuar në atë fshat, në vitin 1970, ata lirohen nga internimi.

Në vitin 1973, vëllai i Hamitit, Isufi, dënohet me burg politik, me nenin famëkeq “55”, për Agjitacion e Propagandë, duke i theksuar në gjyq, se; “ka mbajtur Ramazan”, ka thënë se “malli kinez, është i keq”, ka thënë që; “ka shkuar sateliti në hanë, kurse ne nuk na del buka”, ka thanë se; “sa e madhe është minarja, në Vladimir të Ulqinit”.

Në gjyqin famëkeq kundër tij, i kanë dalë dëshmitarë pesë vetë, që ishin njerëz të dënuar ordinerë, që sikur thoshte populli, ishin spiunë me 1200 lek ($12). Isufi i kaloi vitet e burgut në kampin e tmerrshëm të Spaçit e, në Ballsh, së bashku me Dom Nrekë Kroqin, njeriun kurajoz e trim, Fadil Kokomani, Spartak Ngjela (sot një ndër avokatët e njohur të mbrojtjes së demokracisë), Ylber Merdani, Pjetër Loro, Pashuk Loro, Zeqir Ceni, etj.

Më 2 prill të vitit 1990, Isufi lirohet nga burgu, ndërsa familja Toshi, ishte e internuar edhe në fshatin Lumas të Beratit, ku ajo vuajti dënimin nga 25 qershor të vitit 1980, deri në vitin 1985, duke qëndruar për pesë vjet aty, me shënimin që: “të mos kishte të drejtë kthimi në vendlindje”.

Përfundimi tragjik i dramës Toshi

Familja Toshi, ka të pushkatuar dy vetë: Muhamet Tosha (Toshi), 29 maj 1961, Hamit Toshi, vrarë më 16 gusht të vitit 1951; të burgosur: Muhameti 8 vjet, Isufi 8 vjet; internim: Isufi 5 vjet, Menja Tusha 5 vjet, Xhevahiri, i biri, 5 vjet (1980-1985); familja Muhameti: Internimi i parë 1960-1963, pas vrasjes së Muhametit: Zadja 3 vjet (1960-1963), e bija Nadirja, (1960-1963); Xhemali, i biri (1960-1963); Melihaja, kur ishte 2 vjeç (1960-1963).

Mbas arratisjes, i biri 19 vjeçar, Xhemal Fusha, vjen në New York, ku jeton edhe sot. I gjithë kalvari i familjes Toshi, përfshihet në 42 vjet internim, 16 vjet burg dhe 2 të vrarë barbarisht nga Forcat e Ndjekjes dhe ato të Sigurimit të Shtetit.

Mbijetesa e familjes Toshi

Nuk do te jetë asnjëherë e saktë historia e popullit tonë, në të gjithë trojet etnike shqiptare, nëse nuk do të shkruhet me saktësinë dhe të vërtetat e kohës, për bijtë më të mirë të nacionalizimit, atdhetarët e idealeve të pastra liridashëse, përparimtare, demokratike, për të cilat vlera ata flijuan edhe jetën e tyre dhe janë sot një pasqyrë nderi dhe krenarie, për misionin fisnik të shkëputjes së Shqipërisë nga kthetrat e komunizmit të zi. Memorie.al

Literatura:

Zef Luka, “Njiqind shqipe që erdhën me prue lirine”, USA, 1950.

Tomë Mrijaj, “Historia e parashutistit Alush Leshanaku (1913-1950)”, revista ‘Jeta Katolike’, fq. 13-14, 2008.

Alush Leshanaku: “Gjendja e Shqipnis në Prill 1949”, “L’Albanie Libre”, Organe du Bloc National Independent, 20 Dhjetor 1954, f.4.

“Alush Leshanaku – Lajmtar e Fatos i Liris”, “L’Albanie Libre”, Organe du Bloc National Independent, 28 Nëndor 1951, f.2.

“Me histori në dorë”, “L’Albanie Libre”, Organe du Bloc National Independent, 28 Nëndor 1952, f.3.

 Kolë Çuni, “Ditët e fundit me Alushin”, “L’Albanie Libre”, Organe du Bloc National Independent, 20 Dhjetor 1954, f.6–7.

Marrë nga gazetadiell.com

Share your love