
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, zhvilloi sot një vizitë pune në pikat kufitare të Muriqanit dhe Hanit të Hotit, për të ndjekur nga afër mbarëvajtjen e proceseve doganore dhe për të garantuar ofrimin e një shërbimi efikas për qytetarët dhe turistët.
Gjatë vizitës, Gazheli u takua me punonjësit e Administratës Doganore në terren, duke vlerësuar përkushtimin e tyre dhe duke theksuar rëndësinë e një shërbimi të shpejtë, profesional dhe me integritet, sidomos në ditët me fluks të lartë udhëtarësh. Aktualisht, mbi 15 mijë persona kalojnë çdo ditë nëpër këto pika kufitare.
Ai nënvizoi nevojën për të ruajtur standardet e sigurisë dhe kontrollit kufitar, duke garantuar njëkohësisht një përvojë të mirë për të gjithë ata që hyjnë në Shqipëri.
Administrata Doganore mbetet në gatishmëri të plotë për të përballuar fluksin e lëvizjes gjatë sezonit veror, duke synuar një pritje dinjitoze dhe të organizuar për vizitorët që zgjedhin Shqipërinë si destinacion.