
Kryeministri Edi Rama nga Vlora theksoi se është shumë i inkurajuar që në këtë qytet po hidhen themelet e një procesi të ri bashkëpunimi midis aktorëve të ndryshëm të shoqërisë, përtej barrierave politike që shpesh pengojnë shfrytëzimin e energjive në të mirë të qëllimeve të përbashkëta.
Rama u ndal edhe tek nevoja për të informuar më mirë publikun mbi zhvillimet reale të vendit, duke theksuar se mediat shpesh krijojnë një perceptim të deformuar. Ai prezantoi disa të dhëna mbi gjendjen ekonomike të Shqipërisë, duke nisur nga rritja e prodhimit të brendshëm bruto, që sipas tij është rritur 2.5 herë në një dekadë.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu se Shqipëria ka pasur nivelin më të lartë të rritjes ekonomike në rajon, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sa i takon të ardhurave për frymë, Rama tha se ato janë trefishuar që nga momenti kur mori detyrën dhe projeksioni është të arrihen 15 mijë euro për frymë deri në vitin 2030.