Edona Bilali: “Mbyllje mandati, por jo misioni – me zemër për Shkodrën”…

Shpërndaje

Në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar, deputetja e Qarkut Shkodër, Edona Bilali, ndau një reflektim personal e politik mbi rrugëtimin e saj katërvjeçar në Kuvend dhe në qeveri. Ajo foli me ndjeshmëri për punën, sfidat, sukseset dhe sakrificat, duke theksuar vlerat që ka përfaqësuar dhe përkushtimin ndaj qytetarëve të Shkodrës dhe më gjerë. Në fjalën e saj, shpalosi jo vetëm bilancin e punës si ministre dhe deputete, por edhe një thirrje për angazhim e përgjegjësi ndaj të gjithë atyre që synojnë të kontribuojnë për një Shqipëri më të mirë.

Postimi i deputetes Bilali:

Dy fjalë si seancë e fundit e sesionit:
Nga dita e parë kur pranova këtë detyrë kam punu, mbështet, tërheq, dhe jam rrethu me njerëz që ndaj të njëjtat vlera. Gjithmonë koshiente që kushdo mund të ishte në vendin tim, pasi nuk përfaqësoja trashëgimi politike megjithëse ime më kishte aderuar e kontribuar gjatë në Partinë Socialiste, nuk vija nga rradhët e partisë pasi kisha zgjedhur një tjetër rrugëtim, atë të sektorit privat dhe akademisë, e shquar për punën time në rrethin e ekspertëve por jo e famshme me sistemin e sotëm të referimit.
Si Ministre propozova një ligj dhe e bëra funksional duke i dhënë jetë ekosistemit të startupeve në vetëm disa muaj, kjo sepse kisha 13 vite që punoja si eksperte ndërkombëtare në atë sektor, sektor që ditët më të mira i ka ende përpara pavarësisht historive të njëpasnjëshme të suksesit. Zgjodha të punoj në skuadër, pa hierarki të panevojshme, me orët dhe ritmin e sektorit privat por edhe me energji pozitive duke festuar çdo arritje të përbashkët. Si ‘deputete’, që vetëm kur përmend emrin kam ende emocion sot sepse e vlerësova maksimalisht nderin që Kryeministri më bëri në 2021 pasi më ftoi t’i bashkohesha skuadrës si kryesuese e listës së Shkodrës. E vlerësoj njëlloj sot dhe e bëra me një mision: shërbimin siç do kisha dashur t’na shërbenin, nga nëpunësi më i thjeshtë në administratë tek qeveritari më i rëndësishëm. Qindra raste pronësie dhe administrative të zgjidhura për qytetarët dhe bizneset, deputetja më aktive e qarkut sipas të dhënave zyrtare të Kuvendit, nismëtare ndryshimi ligjor, relatore dhjetra projektligjesh në komisionin ku pata privilegjin të shërbej, një derë e hapur 24/7 siç e kërkon puna të cilën e bëra çdo ditë duke i kujtuar vetes privilegjin e shërbimit.

Nuk ishin të pakta sulmet, edhe ato poshtë brezit dhe s’do isha e sinqertë nëse do thoja që s’më kanë lënduar. ‘Duhet stomak i madh për këtë punë’ është ndër këshillat e para që mora. E kam kujtuar shpesh por kjo besoj se është ndër betejat që nuk fitova këto 4 vite, lajmet e pavërteta lëndojnë njëlloj, tani thjesht jam më pak naive dhe më shumë e informuar për çfarë dhe kush fshihet pas çdo lajmi që u prodhua për mua. Për Shkodrën që ishte kryefjalë e katër viteve, jam tejet e kënaqur për vëmendjen që më në fund mori, e që tashmë është në rrugën e duhur falë edhe kontributit që tanë bashkë kemi dhënë e që do vazhdojmë të japim me mbështetjen e pakursyer të Kryeministrit Rama. Krenare që përfaqësova këtë emër të madh siç është Shkodra në Kuvend duke u përpjekur të përcjell vlerat që ky qytet mbart në shekuj.
Për familjen time të madhe e të vogël që nuk ishin dakord për vendimin tim për t’ju bashkuar politikës: kishit të drejtë kur thatë: ‘je rehat’, por megjithë sfidat e sakrificat nuk jam penduar, ja vlejti. Sot edhe opozitari më i ‘keq’ nuk thotë asgjë për ndershmërinë me të cilën shërbeva për 4 vite, për mua s’kishte asnjë test vlerash, ishte vazhdimi i vlerave me të cilën më keni rrit e personi që jam. Punova për emrin dhe emri pas 4 vitesh shërbim punoi për mua. Nuk mund të mos përfshihesha, duhet të jetë zgjedhja e çdo njeriu që ‘është rehat’, që e ka Shqipërinë zgjedhje dhe që don me e pa familjen, shoqërinë, komunitetin, qytetin e vendin ma mirë dhe që e beson që mund e duhet ba ma mirë.

Prandaj forca kolegë që nuk morën mandat të ri, në një rol ose në një tjetër jena këtu me ju shërby qytetarëve me përgjegjshmëri dhe empati.

Shpërndaje