
Në ambientet e Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër u çel ekspozita “Art në Terr”, një prezantim i veçantë i punimeve të studentëve të Departamentit të Arteve në Universitetin “Luigj Gurakuqi”.
Ekspozita është rezultat i një workshop-i intensiv dyjavor, gjatë të cilit studentët u angazhuan në një proces krijimi dhe kërkimi artistik, të frymëzuar nga objektet dhe artefaktet e muzeut. Të vendosur në një hapësirë të ngarkuar me kujtesë historike, ata krijuan vepra që ndërthurin të shkuarën me të tashmen, përmes një gjuhe të lirë dhe të shumëllojshme të artit pamor.
Instalacione, vizatime, piktura dhe përpunime konceptuale janë pjesë e kësaj ekspozite që mbartin rrëfime personale dhe kolektive, duke reflektuar mbi kujtesën historike dhe fuqinë e artit për të komunikuar me të.
“Art në Terr” nuk është vetëm një ekspozitë, por një ftesë për reflektim, dialog dhe ndjeshmëri ndaj së kaluarës sonë të përbashkët.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për disa ditë dhe është e hapur për publikun.