
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas shumë orë seancë gjyqësore ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest në burg” për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Sakaq, ka ndryshuar masa e sigurisë për Ajola Xoxën, nga “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitjeje”.
Seanca gjyqësore nisi që në orën 08:30 të mëngjesit e sotëm, por u ndërpre për shkak se avokatët kërkuan kohë për tu njohur me 66 fashikujt e dosjes.
Rreth orës 13:30, seanca gjyqësore rifilloi sërisht për të përfunduar rreth orës 22:00.
Kryebashkiaku ka mohuar akuzat para togave të zeza, si dhe kërkoi masë më të lehtë sigurie pasi është shprehur se nuk ndodhet në kriteret për të qenë nën masën e sigurisë “arrest në burg”.
Dy prokurorët e çështjes, Ols Dado dhe Altin Dumani, kanë renditur të gjitha provat, faktet, dyshimet e arsyeshme qe sipas tyre çifti Veliaj dhe Xoxa kanë krijuar një skemë pastrimi parash, të nënshkruara nga kryebashkiaku, siç raportoi më herët gazetarja Klodiana Lala.