
Sonte, në ambientet e Galerisë së Arteve në Shkodër, u hap ekspozita “EXPO 25”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit akademik për studentët e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Aktiviteti u organizua nga Fakulteti i Shkencave të Edukimit, në bashkëpunim me Galerinë e Arteve.
Ekspozita sjell në vëmendje krijimtarinë më të fundit të studentëve të Departamentit të Arteve, në drejtimet Pikturë dhe Grafikë, përmes veprave në vizatim, grafikë, multimedia dhe fotografi. Punimet pasqyrojnë qasje të reja estetike, ndjeshmëri personale si dhe tematika sociale dhe reflektuese.
Kurimi i ekspozitës u realizua nga pedagogu Sidi Kanani, i cili ka ndihmuar në përzgjedhjen dhe organizimin e veprave, duke evidentuar rritjen artistike dhe përkushtimin e studentëve.
Në fjalën e saj përshëndetëse, dekania e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, znj. Eranda Bilali, vlerësoi punën e studentëve dhe stafit akademik, duke theksuar se EXPO 25 shënon një moment të rëndësishëm për artin universitar dhe hap aktivitetet e 10-vjetorit të krijimit të Departamentit të Arteve.
Studentët sollën në këtë ekspozitë vepra që shkojnë përtej teknikës, duke artikuluar mendime dhe qëndrime mbi botën përmes gjuhës së artit. Shumë prej tyre ndjekin studime masteri apo janë tashmë aktivë në jetën kulturore brenda dhe jashtë vendit.
Hapja e ekspozitës u ndoq me interes nga studentë, pedagogë, artistë lokalë, prindër dhe qytetarë, duke konfirmuar edhe një herë rolin që Shkodra luan si qendër frymëzimi për artin pamor.