Franko Burraj thyen sërish rekordin kombëtar dhe fiton në Europianin e Mariborit…

Shpërndaje

Atleti shkodran Franko Burraj po kalon një formë të jashtëzakonshme, duke shkëlqyer në skenën ndërkombëtare. Në Kampionatin Europian për ekipe që po mbahet në Maribor të Sllovenisë, ai ka vendosur një tjetër rekord kombëtar në garën e 400 metrave.

Burraj ndali kronometrin në kohën 45.87 sekonda, duke siguruar vendin e parë në Kategorinë e Tretë të Europës dhe lënë pas rivalin më të afërt, maltezin Matthew Galea Soler, me më shumë se një sekondë diferencë. Në vend të tretë u rendit atleti nga Moldavia, Ivan Galusco. Ky rezultat i jep Shqipërisë pikë të vlefshme në këtë kompeticion, ndërsa Burraj tashmë ka objektiv pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror që mbahet në shtator.

Ky është rekordi i dytë kombëtar që Burraj thyen në pak javë, pas atij të arritur në Kupën e Shqipërisë në Shkodër, ku regjistroi kohën 46.14. Me rezultatin e fundit, ai e ka përmirësuar ndjeshëm performancën, duke zbritur nën kufirin e 46 sekondave, një arritje domethënëse për 26-vjeçarin./RealitetiPost/

Shpërndaje