FSHF Vijon Investimet në Shkodër: Inaugurohet Fusha e Re në Shtoj…

Shpërndaje

Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon investimet në infrastrukturën sportive, duke përuruar një tjetër fushë të re në Shkodër, si pjesë e projektit “100 fushat”. Kjo fushë me bar artificial, e ndërtuar në Shtoj, është një investim i përbashkët i FSHF-së dhe akademisë “Soccer Star”. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përfaqësuesi i akademisë “Soccer Star”, Agim Zani, kryetari i SHRF Shkodër, Lazër Matija, si dhe figura të njohura të futbollit shkodran. Presidenti Duka e vlerësoi këtë bashkëpunim dhe theksoi rëndësinë e krijimit të kushteve më të mira për fëmijët që duan t’i bashkohen futbollit.

Gjatë fjalës së tij, Duka nënvizoi se Shkodra ka nevojë për më shumë fusha stërvitore, sidomos për të përmbushur kriteret e organizimit të Europianit U-21 në vitin 2027. Ai tha se mungesa e një fushe me bar natyral në Shkodër ka penguar zhvillimin e ndeshjeve të Euro U-17 2025 dhe për këtë arsye, ndërtimi i një fushe të re është thelbësor.

Presidenti i FSHF-së theksoi se për ta përfshirë Shkodrën në eventet ndërkombëtare, është e domosdoshme që sa më shpejt të nisë ndërtimi i një fushe stërvitore me bar natyral, e cila do t’u shërbejë jo vetëm akademive dhe fëmijëve të zonës, por edhe organizimit të kampionateve europiane.

Përveç kësaj, Presidenti Duka foli edhe për projektin e përbashkët me Bashkinë e Shkodrës për transformimin e Kompleksit Sportiv “Zmijani” në një qendër moderne me kushte bashkëkohore. Ky kompleks do të përfshijë fusha me bar natyral dhe artificial, duke i krijuar qytetit mundësi më të mira për zhvillimin e futbollit. Ai theksoi se ky proces kërkon bashkëpunim mes FSHF-së, institucioneve lokale dhe biznesit privat, me qëllim që Shkodra të bëhet një nga qendrat kryesore të futbollit në vend.

Shpërndaje