HRW-ja: Izraeli kryen gjenocid duke penguar qasjen në ujë për banorët e Gazas..

Shpërndaje

Organizata “Human Rights Watch” (HRW) ka akuzuar Izraelin se ka kryer gjenocid, duke penguar qëllimisht civilët palestinezë në Rripin e Gazës të kenë qasje në ujë të mjaftueshëm.

Në një raport të titulluar “Aktet e shkatërrimit dhe gjenocidi: Privimi i qëllimshëm i ujit nga Izraeli për palestinezët në Rripin e Gazës”, HRW-ja thekson se autoritetet izraelite kanë kryer “krimin e shkatërrimit dhe gjenocidit” që prej tetorit të vitit 2023, duke dëmtuar qëllimisht qasjen e banorëve në burime jetësore të ujit.

Raporti, i cili përfshin 179 faqe, bazohet në intervista me zyrtarë dhe punonjës shëndetësorë në Gaza, si dhe në analiza të të dhënave dhe imazheve satelitore të mbledhura nga tetori 2023 deri në shtator 2024.

Dëmtimi i infrastrukturës së ujit dhe pasojat fatale

Sipas raportit, forcat izraelite kanë shkatërruar qëllimisht objektet kyç për furnizimin, pastrimin dhe menaxhimin e ujit dhe higjienës (WASH) në Gaza. Si pasojë, popullsia e Gazës është privuar nga sasia minimale e ujit të nevojshëm për mbijetesë, duke shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve nga etja dhe sëmundjet e lidhura me mungesën e higjienës.

Ndërprerjet e energjisë elektrike dhe kufizimet në furnizimin me ujë kanë bërë që infrastruktura e ujit dhe kanalizimeve në Gaza të bëhet jofunksionale. Për më tepër, Izraeli ka ndaluar dhe kufizuar furnizimin e Gazës përmes tubacioneve të ujit, ndërkohë që ka penguar dhe shkatërruar materialet e nevojshme për restaurimin e këtyre sistemeve.

Gjenocidi i dokumentuar

Raporti përfundon se veprimet dhe deklaratat publike të zyrtarëve izraelitë tregojnë një qëllim të qartë për të shkatërruar popullsinë palestineze, duke i cilësuar këto akte si dëshmi të një gjenocidi sistematik.

Drejtoresha ekzekutive e HRW-së, Tirana Hassan, tha se “Uji është i domosdoshëm për jetën e njeriut, por më shumë se një vit qeveria izraelite në mënyrë të qëllimshme nuk u ka siguruar palestinezëve në Gaza sasinë minimale të nevojshme për të mbijetuar”.

Duke e cilësuar si “një krim shkatërrimi dhe gjenocidi”, pengesën e Izraelit për qasje në ujë për civilët palestinezë, Hassan shtoi se “Kjo nuk është thjesht neglizhencë, por një politikë e llogaritur e privimit që shkakton vdekjen e mijëra njerëzve për shkak të etjes dhe sëmundjes”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Oren Marmorstein, në postimin e tij në platformën e mediave sociale X pretendon se Izraeli siguron rrjedhjen e vazhdueshme të ujit dhe ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

Shpërndaje