
Në mjediset e jashtme të xhamisë Mjedë u organizua iftari i madh tradicional i familjes, një ngjarje që mblodhi qindra besimtarë muslimanë (rreth 500 vetë) së bashku me familjet dhe fëmijët e tyre.
Në këtë iftar morën pjesë edhe kryetari i Bashkisë Vau Dejës, z. Kristian Shkreli, dhe autoritete të tjera të zonës. Pas këndimit të ezanit të akshamit, përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni, në fjalën e tij të rastit theksoi se muaji Ramazan është një kohë reflektimi, afrimi familjar dhe ruajtjeje e traditave shekullore.
Teologu Halluni shtoi se familja është dhurata më e madhe që Zoti i ka dhënë njerëzimit dhe për këtë arsye duhet ta ruajmë si bërthamë të shoqërisë, duke u sjellë mirë me njëri-tjetrin.
Pas fjalimeve, të pranishmit shijuan iftarin e madh nën shoqërimin e ilahive, duke vijuar më pas me dua-lutjen e imamit të xhamisë, H. Asllan Babaj, dhe faljen e namazit të akshamit.