
Voltan Xhani, i arrestuar mëngjesin e sotëm në Durrës, konsiderohet si organizatori kryesor i vrasjes së Elis Rroshkodolit, e ndodhur më 30 gusht 2024 në lagjen “Ahmet Haxhiu” të Shkodrës.
Bashkë me të u ndalua edhe vëllai i tij, Jurgert Xhani, ndaj të cilit janë ngritur akuza për mbajtje pa leje të armëve luftarake, moskallëzim krimi dhe ndihmë ndaj autorit.
Të tre – Voltan, Jurgert dhe babai i tyre Petrit Xhani – rezultojnë aksionerë në kompaninë e përpunimit të bulmetit “Aleksandri Grup” me seli në Lushnje.
Në momentin e ndalimit, policia i sekuestroi Voltan Xhanit një armë zjarri dhe municion luftarak. Ai ishte shpallur në kërkim, ndërkohë që nipi i tij, Xhulio Malo, ishte arrestuar më parë për krijim kushtesh për vrasje dhe pengim të hetimeve.
Sipas burimeve, Xhani dhe viktima Rroshkodol njiheshin që nga Belgjika, ku kishin jetuar për disa vite dhe ku dyshohet se kishin konflikte të vazhdueshme për shkak të përfshirjes në trafikun e drogës.
Hetimet tregojnë se Voltan Xhani ka trafikuar automjete nga jashtë nëpërmjet një rrjeti të ndihmuar nga nipi dhe bashkëpunëtorë të tjerë, të cilat i ruante në një servis në zonën e Bërzhitës. Një prej makinave të përdorura në atentat u identifikua pikërisht në këtë servis.
Policia ka zbuluar vendndodhjen e servisit përmes ndjekjes së automjetit të përdorur në krim. Aktualisht janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në vrasje.
Dyshohet se motivi i vrasjes lidhet me konfliktet për trafikun e paligjshëm, ndërsa pista hetimore përfshin edhe financimin e mundshëm nga persona të tjerë.
Rroshkodol u ekzekutua në një lokal ndërsa po konsumonte kafe. Ai ishte i njohur për autoritetet belge si pjesë e një bande që merrej me grabitje dhe ishte në kërkim nga autoritetet rumune për një plagosje.