
Nga Roland Tashi, ekspert i çështjeve të sigurisë
Kartëmonedhat janë forma të parave të printuara nga një autoritet financiar, që në shumicën e rasteve janë bankat qendrore, të cilat përdoren për të realizuar transaksione financiare.
Ato mbeten padyshim një nga mjetet më të përdorura për pagesat e përditshme, të cilat ndikojnë ndjeshëm edhe në marrëdhëniet shoqërore.
Pavarësisht përdorimit të teknologjive të reja të pagesave, siç janë transfertat, pagesat elektronike, etj., që sigurojnë më shumë transparencë dhe siguri në operacione, kartëmonedhat, të njohura edhe si bankënota, mbeten mjeti më i zakonshëm dhe më i përhapur në sistemin financiar, fakt i cili lidhet me shumë faktorë, ku ndër kryesorët mbetet zhvillmi ekonomik i një vendi.
Pak histori për kartëmonedhat
Kartëmonedhat, si mjet pagese, u përdorën për herë të parë në Kinë gjatë dinastisë Tang, rreth shekullit të 7-të.
Pas zhvillimit të sistemit të përdorimit të monedhave metalike, ato u krijuan si një mjet, mënyrë për të lehtësuar tregtinë, si dhe për të reduktuar peshën e rëndë të monedhave.
Në Europë, bankënotat u përdorën për herë të parë në Suedi në vitin 1661, kur banka Stockholms Enskilda Bank filloi të lëshonte bankënota si një formë e dytë pagese pas monedhave metalike.
Ky ishte një hap i rëndësishëm në zhvillimin e sistemit bankar dhe përdorimin e kartëmonedhave si mjet pagese.
Përdorimi i bankënotave si mjet pagese ka një histori shumë të pasur dhe të ndryshme që ka evoluar për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe tregtinë ndërkombëtare.
Kartëmonedhat e para shqiptare janë të lidhura me periudhën e Mbretërisë së Zogut, më konkretisht ato janë produkt i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, themeluar në vitin 1925, e cila ishte banka e parë shqiptare që emetoi edhe kartëmonedhat në vitin 1926, të lidhura ngushtë me krijimin e shtetit të ri shqiptar pas shpalljes së pavarësisë.
Gjatë periudhave të ndryshme të historisë shqiptare, kartëmonedhat janë ndryshuar dhe emetohen nga Banka e Shqipërisë, e cila ka të drejtën ekskluzive për prodhimin e parave, kartëmonedhës dhe monedhës kombëtare me kurs ligjor brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Kartëmonedhat Euro u futën në qarkullim më 1 janar 2002, duke u “prezantuar” për herë të parë me konsumatorin në 12 shtete të Bashkimit Europian, të cilat ishin pjesë e Zonës Euro.
Kjo periudhë shënoi kalimin nga monedhat kombëtare, ku ndër kryesoret ishin Franga franceze, Marka gjermane, Lira italiane, etj., në monedhën e përbashkët europiane.
Bankënotat përbëheshin nga 7 prerje, të cilat ishin 5, 10, 20, 50, 100, 200 dhe 500 euro. Çdo prerje ka dizajne të ndryshme, të cilat pasqyrojnë periudha të ndryshme të historisë dhe zhvillimeve të arkitekturës dhe strukturave që përfaqësojnë qytetërime të ndryshme europiane.
Gjatë viteve të fundit, disa banka qendrore kanë nisur të tërheqin nga qarkullimi prerje të caktuara të kartëmonedhave, duke hapur kështu një periudhë të re shumë të rëndësishme ekonomike.
Ky është një ndryshim që nuk ka të bëjë vetëm me çështje teknike, por edhe me sjelljet e sotme të shoqërisë moderne në raport me administrimin dhe përdorimin e parasë fizike.
Gjatë artikullit do të lexojmë se cilat janë kartëmonedhat Euro që do të humbasin vlerën, arsyet që kanë çuar në këtë vendim, si kuptohet, si interpretohet ky ndryshim për paratë fizike që do të mbeten aktive në treg, si ka qenë e kaluara dhe si do të jetë e ardhmja e tyre.
Kartëmonedhat që do të “largohen” nga përdorimi
Duhet theksuar që në fillim se Banka Qendrore Europiane (BQE) është ajo që vepron si entitet rregullator në lidhje me sasinë dhe llojin e kartëmonedhës që duhet të jetë në qarkullim.
Kartëmonedhat që fillimisht do të humbasin vlerën ligjore, duke u tërhequr nga tregu deri në fund të vitit 2025, i përkasin serisë së parë të Euros që hyri në qarkullim në vitin 2002 dhe tashmë konsiderohen të “vjetruara” dhe jo shumë të sigurta.
Në detaje, seria e bankënotave që do të dalë përfundimisht nga qarkullimi është ajo e ngjyrës blu, në prerjet prej 5, 10, 20 dhe 50 euro.
Bankënota prej 5 euro është e para që u lëshua në versionin e ri, e njohur si seria Europa.
Kjo ka sjellë një interes të shtuar dhe kureshtje në lidhje me ndryshimet në dizajn dhe karakteristikat e sigurisë. Bankënotat e reja kanë elemente inovative, si hologramet, filigramat më të detajuara dhe boja që ndryshon ngjyrë, të gjitha të menduara për të garantuar sigurinë maksimale të mundshme të konsumatorit.
BQE, prej vitit 2019, ka ndaluar së prodhuari prerjet 500 dhe 200, dhe po përpiqet të menaxhojë sasinë aktuale që është në qarkullim.
Një situatë tjetër që lidhet me prerjen 500 euro është edhe tendenca, përdorimi i saj në transaksione, pagesa CASH të jashtëligjshme.
E njëjta arsye mbetet edhe për prerjen 200 euro, e cila është gjithashtu në qarkullim, por me përdorim të kufizuar.
Tërheqja e këtyre kartëmonedhave nuk është një vendim i lehtë për bankat qendrore por duke reduktuar përdorimin, qarkullimin dhe shpërndarjen e tyre mund të bëhet më i shpejtë dhe më i sigurt kontrolli i pagesave në shuma të mëdha me para fizike.
Prerja 500 euro do ta ruajë vlerën e saj dhe do të vazhdojë të këmbehet në bankat qendrore për një periudhe ende të pacaktuar.
Një faktor që lidhet me tërheqjen e prerjeve të mëdha të eurove nga qarkullimi lidhet edhe me zhvillimin teknologjik me ndikim në mënyrën e kryerjes së pagesave.
Qëllimi është të nxitet përdorimi i pagesave elektronike, duke e reduktuar përdorimin e kartëmonedhave.
Sipas statistikave, individët por edhe bizneset po preferojnë më shumë shpejtësinë që ofrojnë kartat dhe aplikacionet e ndryshme për të kryer pagesa, të cilat janë të lidhura kryesisht me bankat.
Faktor tjetër shumë i rëndësishëm që lidhet me tërheqjen është padyshim kostoja e prodhimit, administrimit, përpunimit dhe ruajtjes së tyre.
Mbajtja në qarkullim e bankënotave ka një kosto shumë të lartë për bankat qendrore, veçanërisht kur ato nuk përdoren dhe në këtë aspekt duke nxjerrë nga qarkullimi ato që janë më pak të përdorura mund të ulet ndjeshëm kostoja e tyre.
Ndryshimet për qytetarët
Sigurisht që çështja e tërheqjes së bankënotave Euro ka ndikim edhe tek individët, përdoruesit dhe bizneset, pavarësisht se në tregun tonë financiar ato nuk janë paratë vendase me kursin primar ligjor.
Sipas njoftimeve dhe afateve të vendosura nga banka qendrore dhe bankat e nivelit të dytë, mbajtësit e këtyre prerjeve, këshillohet të drejtohen në bankë për të kërkuar këmbimin e tyre me prerje të tjera.
Duhet të kuptojmë se paratë fizike nuk mund të largohen plotësisht nga tregu. Bankënotat më të përdorura si ato të prerjeve të vogla, 5, 10 dhe 20 euro do të vazhdojnë të qarkullojnë, pasi kjo siguron mundësinë për të pasur para në dorë në rast nevoje dhe urgjenca të ndryshme.
Ky ndryshim është një nga më të rëndësishmit në përdorimin e parave fizike i cili lidhet edhe me mundësitë për të pranuar dhe për të përdorur teknologjitë e reja të pagesës, duke rritur jo vetëm nivelin e sigurisë, por edhe për të kufizuar ndjeshëm mashtrimet, aktivitetet e jashtëligjshme dhe evazionin fiskal.
Duket se e ardhmja në Eurozonë do të ketë gjithmonë e më pak para fizike, ky është një hap drejt aplikimit të teknologjive të avancuara për kryerjen e pagesave, të cilat janë më transparente dhe më të shpejta.
Edhe pse ndryshimi si në të gjitha fushat e ekonomisë kërkon kohën e vet të bëhet i “pranueshëm”, ky proces kërkon gjithashtu të aplikohet dhe përshtatet me ndryshimet dhe konceptet aktuale ndërkombëtare për përdorimin e parave.
Ky ndryshim duhet parë si një mundësi pozitive, pasi do të thotë që bota po bëhet gjithnjë e më teknologjike dhe e sigurt ndaj fenomeneve që deri tani kanë shkaktuar probleme lidhur me përdorimin e parasë për aktivitete të jashtëligjshme.
Duke e përmbledhur, arsyet e tërheqjes graduale të disa kartëmonedhave lidhen me:
- Përshtatjen me nevojat, sigurinë dhe ecurinë e tregut, pasi prerjet e vogla të Euros 5, 10, 20 dhe 50 janë më të përdorura dhe jo shumë të sigurta ndaj falsifikimit.
- Përdorimin në aktivitete të jashtëligjshme të prerjeve 200 dhe 500 euro.
- Rritjen e pagesave elektronike, si pasojë e zhvillimeve teknologjike, duke e bërë më të panevojshme përdorimin e prerjeve të mëdha.
Megjithatë, edhe pas tërheqjes nga qarkullimi këto bankënota nuk do të humbasin vlerën e tyre, ato do të këmbehen në sistemin bankar për një periudhë të caktuar dhe të paralajmëruar.
Në përfundim, ndërsa bota e euros zhvillohet, besimi në sistemin monetar mbetet thelbësor.
Ndërgjegjësimi, edukimi dhe informacioni janë çelësi për të lundruar në këtë peizazh financiar që ndryshon vazhdimisht.
Duhet të mbeteni të përditësuar me bankënotat Euro në qarkullim dhe me procedurat e ndërrimit të tyre./Monitor/