Konfirmohet rasti i parë i Murtajës së Ruminantëve të Vegjël në Shqipëri…

Shpërndaje

Është konfirmuar rasti i parë i Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në territorin e Shqipërisë. Rasti është identifikuar në një fermë mbarështimi të dhive në njësinë administrative Postribë, qarku Shkodër.

Mostrat e marra nga Shërbimi Veterinar janë analizuar në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili ka vërtetuar praninë e virusit PPR. Pas këtij konfirmimi, janë ndërmarrë masat e parashikuara nga legjislacioni dhe Plani Kombëtar i Kontigjencës për të kontrolluar dhe izoluar sëmundjen.

Thirrje për fermerët.

Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë fermerëve dhe mbarështuesve të dhive dhe deleve që të respektojnë masat parandaluese dhe të kufizojnë lëvizjet e kafshëve. Nëse vihen re simptoma si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion i syve, mungesë oreksi, diarre apo ngordhje e papritur, duhet të njoftohet menjëherë Shërbimi Veterinar Rajonal ose të kontaktohet numri falas 0800 3366.

Nuk ka rrezik për shëndetin e njeriut.

Sipas Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë, sëmundja nuk është zoonotike dhe nuk transmetohet tek njerëzit, duke mos paraqitur rrezik për shëndetin publik.

Autoritetet do të vazhdojnë monitorimin e situatës dhe informimin e publikut në mënyrë të rregullt./RealitetiPost/

Shpërndaje