
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcaktoi këtë të martë se si do ndahen komisionerët e partive politike që do të administrojnë zgjedhjet e 11 majit.
Pa debate dhe pretendime nga partitë politike, KQZ përcaktoi se dy nga anëtarët e KZAZ do të propozohen nga Partia Socialiste, po kaq edhe Partia Demokratike.
Nga një anëtar do të kenë të drejtë që propozojnë Partia e Lirisë si forcë opozitare dhe Partia Socialdemokrate e Tom Doshit si forcë e shumicës parlamentare.
Ndërsa anëtari i shtatë i KZAZ u nda me short, ku në zonat e administrimit zgjedhor me numër çift i propozon Partia Socialiste, ndërsa në ato tek nga Partia Demokratike.
Partitë politike nuk ishin të pranishme në mbledhje, pasi debati për ndarjen e anëtarëve ishin bërë nëpërmjet shkresave më herët.
Debati nisi nga një dokument i firmosur nga Elisa Spiropali e cila në një përgjigje për KQZ, përcaktonte si pakicë parlamentare PSD-në e Tom Doshit.
Pas ankesës së Partisë Demokratike dhe informacionit që Kuvendi i përcolli KQZ, PSD u klasifikua si parti shumice për shkak se kishte votuar njëzëri ligjet dhe programin politik të socialistëve.
Në këtë mënyrë socialistët nuk mundën të merrnin të vetëm 3 anëtarët e KZAZ-së që i takonin shumicës parlamentare duke i ndarë ata me aleatin e tyre Tom Doshi.