Krimineli shqiptar mbërrin ilegalisht në Britani, The Sun i heq anonimatin pas një beteje 23-mujore…

Shpërndaje

Një nga njerëzit më besnikë të bosit të krimit Aldo Bare ka hyrë ilegalisht në Britani, duke përdorur një pasaportë të falsifikuar përmes Spanjës dhe duke aplikuar për azil.

Maksim Çela, anëtar i Bandës së Lushnjës, ishte dënuar në Shqipëri me 25 vite burg për disa krime të rënda, përfshirë vrasjen e oficerit të policisë Klenti Bano më 14 prill 2000. Pasi kreu dënimin, ai udhëtoi drejt Anglisë në prill 2023, ku u arrestua dhe u mbajt në një qendër ndalimi për emigrantët ilegalë.

Gjatë seancave gjyqësore në një gjykatë emigracioni, avokatët e Çelës kërkuan anonimatin e tij, duke pretenduar se ai rrezikohej nga hakmarrja e bandave rivale. Gazeta britanike The Sun respektoi vendimin fillestar të gjykatës, duke raportuar për rastin e tij pa e zbuluar identitetin.

Megjithatë, tabloidi zhvilloi një betejë ligjore 23-mujore për të hequr anonimatin e Çelës, duke argumentuar se publiku kishte të drejtë të mësonte identitetin dhe të kaluarën e tij kriminale. Në fund, gjykata i dha të drejtë The Sun, duke lejuar publikimin e plotë të emrit dhe detajeve të krimeve të tij në Shqipëri.

Si rezultat, Maksim Çela është bërë kryelajm në mediat britanike, me The Sun që e vendosi në faqen e parë me titullin:
“Mostrës i çirret maska – vrasësi dhe terroristi shqiptar i lirë në rrugët e Britanisë së Madhe.”

Shpërndaje