
Në Prizren u zhvillua sot (10 qershor) ceremonia përkujtimore me rastin e 147-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Todaj, e cilësoi këtë ngjarje si gurthemel të shtetformimit shqiptar.
“Me 10 qershor 1878, burrat e kombit u mblodhën në këtë qytet për t’i thënë botës se ne jemi shqiptarë, kemi tokën tonë, gjuhën tonë, kulturën tonë dhe nuk pranojmë të copëtohemi”, tha Todaj.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Ata theksuan se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është mishërimi i unitetit kombëtar në përpjekje të pandërprera për liri dhe pavarësi. Sipas tyre, kjo trashëgimi duhet të shërbejë si frymëzim për brezat e rinj, që të punojnë për një komb të rreshtuar me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe si kontribuues për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Identiteti ynë kombëtar nuk është vetëm një fjalë, vetëm një kujtim, por një amanet. Përmes kujtimit të këtyre ngjarjeve i japin shembuj dhe vlera ku i mësojmë se liria nuk është e dhënë, por e fituar”, tha presidenti Begaj.
“Lidhja dhe mendimtarët e Lidhjes e thanë qartë se një Ballkan i qetë dhe me të ardhme premtuese është Ballkani ku shqiptarët respektohen në gjuhën, numrin dhe territorin e tyre. Ata kërkonin vetëm atë që i takonte”, tha Kurti.
Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u mbajt më 10 qershor 1878, me pjesëmarrjen e 41 përfaqësuesve shqiptarë nga të gjitha trevat, nën udhëheqjen e Abdyl Frashërit. Qëllimi kryesor ishte mbrojtja e trojeve shqiptare përmes një ushtrie dhe komande të përbashkët, në përballje kundër pushtuesve osmanë dhe serbo-sllavë.