
Pas përfundimit të procesit zgjedhor, kandidatja për deputete Matilda Matija ka ndarë një mesazh falënderimi për të gjithë ata që e mbështetën gjatë fushatës. Në një reagim të ndjerë, ajo thekson vlerësimin për punën e ekipit, përvojat e fituara dhe mirënjohjen e thellë për familjen, veçanërisht për vajzën e saj të vogël, Nova, që për të mbetet forca më e madhe. Matija e konsideron këtë jo si një mbyllje, por si fillimin e një rruge të re me më shumë vendosmëri.
Postimi i Matilda Matisë:
Faleminderit nga zemra të gjithëve që ishit pjesë e kësaj rruge me mua.
Faleminderit të gjithë atyre që punuan krah meje gjatë kësaj fushate, që më besuan, më mbështetën dhe ndanë me mua kohën, energjinë dhe zemrën e tyre. Edhe pse rezultati nuk është ai që prisnim, unë kam fituar shumë më tepër: kam fituar përvoja të çmuara dhe kam pasur fatin të njoh shumë njerëz të mirë, të ndershëm dhe të përkushtuar.
Kjo eksperiencë më ka pasuruar si njeri dhe më ka dhënë forcë për të vazhduar përpara, me më shumë qartësi dhe vendosmëri.
Një falënderim i veçantë shkon për familjen time — për durimin, dashurinë dhe mbështetjen e pakushtëzuar që më kanë dhënë çdo ditë. Dhe mbi të gjitha, faleminderit vajzës sime të vogël, Nova, që është drita dhe forca ime më e madhe. Pa ju, asgjë nuk do të ishte e mundur.
Ky nuk është fundi i asgjëje. Është vetëm një hap i parë drejt një rruge më të gjatë. Me zemër të hapur dhe besim, ecim përpara.
