
Shuhet një nga studiuesit më të shquar të gjeografisë shqiptare, prof. Selman Sheme. Ish-pedagogu i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u nda nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të vyer studimore dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin dhe shkencën shqiptare.
Profesor Sheme është autor i disa veprave të rëndësishme që trajtojnë gjeografinë industriale, turizmin, çështjet gjeopopullative dhe etnokulturore të Çamërisë, si dhe pasuritë natyrore të Shqipërisë. Ndër librat e tij më të njohur përmenden: “Dinamika, struktura dhe lokacioni i Industrisë në Shqipëri”, “Kelmendi, vështrim gjeografik e turistik”, “Epiri i Jugut – Çamëria”, dhe “Parqet Kombëtare të Shqipërisë”.
Me një jetë kushtuar kërkimit shkencor dhe edukimit të brezave të rinj, ai do të kujtohet si një studiues i përkushtuar dhe një njeri me vlera të larta.
Homazhet në nder të tij do të mbahen sot, më 23 mars 2025, pranë shtëpisë funerale “Parajsa” në Tiranë, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet të hënën, më 24 mars, në orën 11:00.
