Ndërpriten sërish punimet tek “Xhamia e Plumbit”/ Vijon zvarritja e punimeve për rikonstruksionin e këtij objekt kulti…

Punimet në kantierin e ngritur për restaurimin e Xhamisë së Plumbit janë ndalur sërish, të parashikuara të përfundonin brenda 10 muajsh ato vijojnë të zavrriten.

Ky investim i nisur në shtatorin kaluar u ndal fillimisht pasi ujërat përmbytën xhaminë dhe ambientin përreth saj ndërsa tani nuk ka informacion se cili është shkaku i ndërprerjes së punimeve.

Rikonstruksioni i Xhamisë së Plumbit parashikon ti japë zgjidhje problemit të përmbytjeve, të bëjë të mundur krijimin e një sistemi kullimi të sigurt dhe pengimin e ujërave vërshuese dhe gjithashtu restaurimin e ndërtesës.

Projekti i rehabilitimit, po vihet në jetë falë marrëveshjes së bashkëpunimit me qeverinë turke.

Gjatë fazës së parë të zbatimit të projektit, mbikqyrësit e punimeve restauruese nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe DRTK Shkodër, si dhe shoqëritë zbatuese shqiptare e turke, po punojnë së bashku për të garantuar që kjo pasuri kulturore të restaurohet duke marrë parasysh teknologjinë e konservimit të vlerave të saj, konform normave teknike dhe kritereve të restaurimit.