Ndihmësja ligjore, Alma Troshani konfirmohet në detyrë…

Share your love

Ndihmësja ligjore e Gjykatës Administrative të Apelit, Alma Troshani u konfirmua në detyrë të hënën më 9 shtagtor nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, pas një seance dëgjimore që zgjati rreth gjysmë ore, gjatë së cilës ajo kundërshtoi barrat e provës për pamundësitë finanicare të konstatuara në kriterin e pasurisë. Ajo u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Procesi i vetingut për Troshanin u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Alma Troshani ka përfunduar studimet në fakultetin e Drejtësisë në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër në vitin 2000 dhe më pas ka marrë titullin avokat. Në vitet 2009-2015, Troshani ushtroi detyrën e Avokates së Shtetit pranë Ministrive të Integrimit dhe asaj të Financave. Më vonë, ajo punoi si ndihmëse ligjore pranë Gjykatës Administrative të Apelit dhe ndihmës Inspektore pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Troshani ka shënuar në deklaratën veting një apartament të blerë në vitin 2012 për vlerën 5.7 milionë lekë, me burim një kredi në shumën 3.8 milionë lekë, 1.7 milion lekë të dhuruara nga vjehrra dhe kursime nga të ardhurat e saj e të bashkëshortit nga pagat.

Komisioni ka analizuar mundësinë e prindërve të bashkëshortit të subjektit për të krijuar shumën e dhuruar. Ka rezultuar se ata kanë pasur të ardhurat nga pagat, kanë shitur një apartament në Shkodër, si dhe kanë pasur të ardhura nga qiradhënia e një dyqani – shuma që janë gjetur të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të tyre dhe dhurimin e vlerës 1.7 milionë lekë.

Po ashtu, Komisioni nuk ka gjetur probleme lidhur me përdorimin e kredisë, që pas disbursimit rezulton t’i jetë kaluar shoqërisë shitëse.

Nga analiza e të ardhurave nga pagat, është konstatuar pamundësi financiare në shumën 14 mijë lekë për pagesën e pjesës së çmimit të apartamentit nga ky burim.

Komisioni konstatoi pamundësi në shumën 352 mijë lekë për blerjen e një automjeti në vitin 2016 për shumën 850 euro.

Ndërsa për krijimin e gjendjes cash në 2013 në shumën 200 mijë lekë ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshorti kanë pasur mundësi financiare.

Nga analiza financiare e përgjithshme paraprake e kryer nga KPK kanë rezultuar bilance negative në dy vite gjatë ushtrimit të detyrës, në shumën 442 mijë lekë në 2015-ën dhe 352 mijë lekë në vitin 2016, kjo e fundit për automjetin.

Komisioni ka konstatuar kryerjen e disa transaksioneve financiare në vitin 2006 nga subjekti, por nuk janë gjetur probleme pasi depozitimet e vlerave monetare janë kryer me qëllim garancie për t’u pajisur me vizë kanadeze. Po ashtu, këto shuma nuk rezulton të kenë shërbyer për krijimin e ndonjë pasurie.

Troshani tha se dakordësohej plotësisht me gjetjet e Komisionit për figurën dhe profesionalizmin, si dhe me një pjesë të konstatimeve për pasurinë. Ndërkohë, subjekti parashtroi kundërshtimet e saj për barrat e provës që i ishin kaluar lidhur me bilancet negative.

Sipas Troshanit, të ardhurat e bashkëshortit nga puna kanë qenë më të larta nga sa ka paguar sigurime kompania punëdhënëse. Ajo solli në vëmendje se kishte depozituar deklaratë të punëdhënësit lidhur me këtë fakt, ku përcaktohej se rroga mujore kishte qenë 35 mijë lekë dhe jo 20 mijë lekë.

Subjekti kërkoi ripërllogaritjen e shpenzimeve të jetesës duke kundërshtuar kostot për fëmijët e mitur. Sipas saj, shpenzimet e dy fëmijëve nga 4 vjeç nuk mund të llogariten me të njëjtën vlerë si për të rriturit.

Edhe për pamundësinë e konstatuar për automjetin në vitin 2016, subjekti tha se analiza financiare duhet të bëhet sipas të njëjtës logjikë. Ajo shtoi se automjeti është blerë me kursimet në vite dhe se vetë KPK konstaton mundësinë financiare.

Edhe për pamundësinë në vitin 2015, Troshani kërkoi që të ulen shpenzimet për fëmijët, të konsiderohet paga e bashkëshortit sipas deklarimit të punëdhënësit, si dhe të ulen shpenzimet udhëitmeve jashtë shtetit, me argumentin se kishte qëndruar tek familjarët.

Troshani i kërkoi Komisionit që gjetjet të trajtohen bazuar në parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit dhe të konfirmohet në detyrë.

Rreth gjysmë ore pas përfundimit të seancës dëgjimore, Komisioni shpalli vendimin për lënien në detyrë të ndihmëses ligjore, Alma Troshani.

Share your love