Në përvjetorin e lindjes së këngëtarit Shyqyri Alushi, zërit që vazhdon të na magjepsi…

Shpërndaje

Nga Albert Vataj

Më 10 maj, dita që shënoi lindjen e një prej zërave më të dashur të këngës qytetare shkodrane, na sjell sot një kujtim të gjallë dhe të paharruar, Shyqyri Alushi, bilbili i ahengut, zëri që u bë emblemë e një trashëgimie të rrallë shpirtërore.

Në këtë përvjetor lindjeje, ne nuk e kujtojmë si të ikur, por si një prani të përhershme në kulturën, në ndjeshmërinë dhe në identitetin tonë muzikor. Kujtimi i tij është një himn i gjallë për artin popullor, për dashurinë ndaj qytetit të vet dhe për dinjitetin që ai përfaqësoi si njeri e si artist. Më 10 maj, kujtojmë lindjen e një prej zërave më përfaqësues të muzikës qytetare shkodrane, Shyqyri Alushit – bilbilit të fundit të ahengut, mjeshtrit të këngës që rridhte nga shpirti dhe prekte thellë shpirtin.

Në këtë ditë, jo për të vajtuar një ndarje, por për të festuar një trashëgimi që nuk shuhet, i rikthehemi me nderim dhe dashuri figurës së artistit që i dha Shkodrës tingullin që e bëri të pavdekshme në kujtesën muzikore të shqiptarëve.

Lindi në Shkodër më 10 maj 1934, në një qytet që kishte muzikën në palcë, dhe vetë u bë një me atë frymë. Trashëgoi pasionin nga i ati, Alushi, edhe ai këngëtar dhe muzikant popullor. Që në moshë të re u përthith nga tingulli i fyellit, zumarës, por mbi të gjitha nga zëri i qytetit. Debutimet e para i pati në dasmat dhe lagjet e Shkodrës, aty ku kënga popullore nuk këndohej për skenën, por për shpirtin. Në vitin 1956 ngjitet për herë të parë në skenë, në inagurimin e “Kinema Republika”, për të vijuar më pas një rrugëtim të gjatë e të denjë, që përfshiu pjesëmarrjen në dasma, lokale e koncerte popullore, e që kulmoi me angazhimin si këngëtar profesionist pranë Estradës së Shkodrës nga viti 1974 deri në vitin 1986. Zëri i tij kumbonte me atë ngrohtësi dhe sinqeritet që vetëm ahengu qytetar shkodran mund të kultivonte. Repertori i Shyqyri Alushit është një arkiv e gjallë e shpirtit shkodran: “Thotë lulja për lulen”, “Kur natyra kenka veshur”, “Nëpër fusha e kodrina”, “Pranvera filloi me ardhë”, “T’parën herë kur jena pa” – janë këngë që mbeten jo vetëm në fonotekë, por në kujtesën emocionale të brezave. U vlerësua me tituj që i qëndrojnë hijshëm portretit të tij artistik: “Artist i Merituar” (1984), “Çmimi i Karrierës” në Festivalin e Këngës Popullore Qytetare (1996) dhe “Krenaria e Qytetit” nga Bashkia e Shkodrës (1999). Shyqyri Alushi nuk ishte vetëm këngëtar. Ai ishte kujtesë e gjallë e një tradite që digjej ngadalë në një botë që harroi të dëgjojë me zemër. Zëri i tij u bë udhërrëfyes për ruajtjen e një stili që kishte brenda jo vetëm teknikën vokale, por emocionin e pastër, shpirtin e papërzier dhe kulturën e një qyteti që e donte me të gjitha ngjyrimet.

Në këtë 10 maj, kujtimi i Shyqyri Alushit është shumë më tepër se një përvjetor – është një thirrje për të mos harruar rrënjët tona, për të mbajtur gjallë këngën që na mëkoi dhe për të nderuar ata që, si ai, e ngritën artin në përmasën e përjetësisë. Në çdo kthinë të Shkodrës, në çdo jehonë të një kënge të vjetër, ai është ende aty. Me kasketën e tij të njohur dhe hapat e lehtë që zbrisnin trotuaret me thjeshtësi e përulje, Shyqyri Alushi mbetet një ikonë e gjallë e artit popullor shqiptar. Në këtë 10 maj, nuk kemi thjesht një datëlindje për të përkujtuar, por një trashëgimi të gjallë për të nderuar. Shyqyri Alushi nuk është më vetëm një emër i së kaluarës; ai është një zë që flet për ne sot, përmes çdo kënge që ende frymon në dritaret e Shkodrës, në dasmat, gazmimet, kujtimet dhe mallin tonë. Le të jetë ky përvjetor një ftesë për të kënduar me të, për të kujtuar me dashuri dhe për të përcjellë te brezat e ardhshëm atë që ai na la: këngën si pasuri e shpirtit.

Shpërndaje