Nelson Hysa mbron titullin WBO me një tjetër K.O të fuqishëm!…

Shpërndaje

Boksieri shqiptar nga Shkodra, Nelson Hysa, vijon të shkëlqejë në arenën e boksit profesionist duke regjistruar një tjetër fitore të jashtëzakonshme. Në mbrëmjen e së shtunës në Ipswich, ai mposhti gjermanin Patrick Korte me nokaut brenda dy raundeve, duke ruajtur titullin europian të peshave të rënda në versionin WBO.

Në moshën 40-vjeçare, Hysa tregoi edhe një herë se mosha është thjesht një numër, duke dominuar plotësisht duelin që nga sekondat e para. Me një bilanc mbresëlënës prej 23 fitoresh dhe asnjë humbje – prej të cilave 21 me nokaut – ai konfirmoi edhe një herë formën e tij të jashtëzakonshme.

Kundërshtari i tij, Korte (22 fitore, 5 humbje, 1 barazim), e pati të pamundur të përballonte ritmin dhe fuqinë e goditjeve të Hysës. Që në raundin e parë, shqiptari e tronditi me një goditje të saktë që e detyroi të bjerë në gjunjë. Raundi i dytë ishte vendimtar, pasi një kombinim goditjesh e rrëzoi përsëri gjermanin, dhe arbitri vendosi të ndërpresë ndeshjen.

Pas ndeshjes, Hysa sfidoi publikisht boksierin e njohur Moses Itauma, duke deklaruar: “Itauma, po të pres në ring!” – një shenjë se ambiciet e tij po shkojnë përtej Evropës.

Shpërndaje