
SPAK dyshon se grupi kriminal Bajri, me bazë në Dobraç të Shkodrës, përdor si strehë një banesë në fshatin Shtoj. Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme rezulton se Safet Bajri ka lidhje shoqërore me pronarin e banesës, çka ka çuar në ushtrimin e një kontrolli nga forcat RENEA dhe në kërkesën për marrjen në pyetje të pronarit.
Ndaj Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit rëndojnë dyshime për ekzekutimin mafioz të Fatbardh Liçit. Ky krim dyshohet të jetë kryer në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e mikut të tyre, Boran Bërçana, dhe partneres së tij, Silvi Ndoci.
Hetimet mbi këtë çështje vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë provat dhe dëshmitë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të vendosur përgjegjësitë ligjore.