
Bashkia e Tiranës ndodhet në bllokim total prej 24 orësh, pasi asnjë nga drejtuesit e saj të lartë nuk ka tagrin ligjor për të firmosur vendime në mungesë të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg. Situata ka ardhur si pasojë e një përplasjeje mbi delegimin e kompetencave, pasi Veliaj kishte autorizuar fillimisht Anuela Ristanin, por më pas ndryshoi vendimin duke ia kaluar kompetencat Sara Goxhajt.
Kryeministri Edi Rama nuk ishte dakord me këtë ndryshim dhe ndërhyri duke i komunikuar Goxhajt largimin nga detyra dhe rikthimin e Ristanit. Megjithatë, vendimi i Veliajt ishte protokolluar dhe rikthimi i kompetencave te Ristani kërkon sërish firmën e tij.
Burimet konfirmojnë se Veliajt i është dërguar një kërkesë në burg për të firmosur rikthimin e Ristanit si përfaqësuese e tij, por ai ka refuzuar të nënshkruajë. Po ashtu, ai nuk ka pranuar të firmosë as për emërimin e Jonida Halilit si sekretare e Përgjithshme në vend të Alban Dokushit.
Për shkak të këtij ngërçi administrativ, Bashkia e Tiranës nuk ka mundur të lëshojë asnjë dokument apo vendim zyrtar që nga dita e djeshme, duke paralizuar funksionimin normal të institucionit.