
Komisioni Europian ka dhënë një miratim fillestar për planin e ri të kryeministres italiane Giorgia Meloni mbi qendrat e emigrantëve në Shqipëri. Ndryshimi vjen pas vendimit të disa gjykatave italiane, të cilat konfirmuan ligjshmërinë e marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë sipas ligjit europian.
Qeveria italiane ka miratuar një dekret për transformimin e qendrave shqiptare, të cilat fillimisht ishin parashikuar për procedurat e azilit, në qendra të ndalimit të riatdhesimit (CPR). Në këto qendra do të strehohen emigrantët që kanë marrë urdhra dëbimi, ndërsa presin kthimin e tyre në vendet e origjinës.
Kjo lëvizje vjen në pritje të vendimit të Gjykatës së BE-së për konceptin e “vendeve të sigurta”, duke synuar vënien menjëherë në funksionim të qendrave të krijuara në Shqipëri.
Një zëdhënës i Komisionit Europian ka deklaruar se ligji italian do të zbatohet në këto qendra, siç ishte parashikuar më herët. Edhe pse legjislacioni aktual i BE-së e ndalon një praktikë të tillë, Komisioni ka propozuar më 11 mars një rregullore të re që përfshin qendrat e kthimit në vendet e treta.
Në një video-mesazh dërguar Samitit të Sigurisë Kufitare, organizuar nga qeveria britanike, Meloni e cilësoi marrëveshjen me Shqipërinë si një model që fillimisht u kritikua, por që tani po fiton mbështetje gjithnjë e më të madhe. Sipas saj, Bashkimi Europian tani po propozon krijimin e qendrave të riatdhesimit në vendet e treta, duke konfirmuar se qasja e Italisë ka qenë e drejtë.