Promovohet libri “Mini Guida, Shkodra” në Bibliotekën e Universitetit të Shkodrës…

Shpërndaje

Në ambientet e Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës u zhvillua promovimi i librit “Mini Guida, Shkodra”, me autore Melisa Paci dhe botim i Shtëpisë Botuese Albas. Aktiviteti u organizua nga Departamenti i Romanistikës dhe mblodhi bashkë pedagogë, studentë dhe nxënës nga shkollat “Ismail Qemali”, “Branko Kadia” dhe “Oso Kuka”.

Tea Çuni, eksperte në fushën e trashëgimisë kulturore dhe turizmit, prezantoi librin si më shumë se një guidë – një mënyrë përjetimi të qytetit të Shkodrës përmes historisë, kulturës dhe shpirtit të saj.

Rudina Uruçi, mësuese e historisë, vlerësoi tekstin për qasjen edukative dhe sugjeroi përfshirjen e tij në kurrikulat shkollore.

Gjatë bashkëbisedimit me nxënës dhe studentë, autorja Melisa Paci, ish-pedagoge në Departamentin e Romanistikës, ndau përvojën e saj në hartimin e librit. Ilustrimet artistike të librit janë realizuar nga piktori i njohur Adrian Paci.

Takimi përfundoi me ide të reja frymëzuese për bashkëpunime ndërmjet universitetit dhe shkollave parauniversitare.

Shpërndaje