
Pesë operatorë të televizionit “ABC News” janë larguar nga puna pa paralajmërim, ndërsa tre gazetarë nga rrethet janë informuar se do të kalojnë në pagesë me honorar duke filluar nga 1 qershori. Ky njoftim u bë përmes mesazheve nga redaksia dhe ka shkaktuar shqetësim në komunitetin mediatik.
Gazetarët në fjalë janë informuar përmes një mesazhi ku specifikoheshin edhe tarifat: 1,000 lekë për një raportim “Live!”, 2,000 lekë për një raportim të thelluar, 5,000 lekë për ekskluzive dhe deri në 10,000 lekë për raste të veçanta.
Në Shqipëri, praktika e pagesës me honorar shpesh ndodh në mënyrë informale dhe me para në dorë. Gazetarët lokalë, përveç raportimit, shpesh kryejnë detyra shtesë si operator apo shofer dhe nuk kompensohen për shpenzimet.
Ky zhvillim është një tjetër tregues i pasigurisë në të cilën ndodhet gazetaria lokale në vend. Ndryshimet e njëanshme në formatin e kontratave, pa paralajmërim dhe pa hapësirë për negociim, i vendosin gazetarët përballë alternativës së dorëheqjes, duke humbur sigurinë ekonomike e sociale.
Shoqata e Gazetarëve të Shqipërisë e ka konsideruar këtë veprim si një hap pas për të drejtat e punës dhe ka kërkuar ndërhyrjen e Inspektoratit të Punës, duke theksuar se gazetarët nuk duhet të trajtohen si të punësuar të përkohshëm pa të drejta minimale.