
Nga Justinian Topulli
Rama ndal!
Pothuajse krejt bektashinjtë shqiptarë e identifikojnë veten edhe myslimanë, njëlloj siç bëjnë edhe ndjekësit e tarikateve të tjera dhe nuk e shohin bektashizmin si një besim të ndarë nga Islami, apo fe më vete. Sigurisht që ata nuk i njohin qartë as specifikat problematike që ka ose jo bektashizmi, sidomos ky modeli folklorik shqiptar i tij, të cilat e dallojnë atë nga besimet dhe praktikat e myslimanëve të tjerë.
Ndërkohë, realiteti shqiptar dhe jo vetëm, ka treguar se nuk ka pasur përçarje dhe ndarje me thikë mes tyre, siç ka mes katolikëve, ortodoksëve dhe protestantëve, edhe pse të gjithë këta janë të krishterë.
Nisma e Kryeministrit të Shqipërisë rrezikon tashmë të krijojë këtë realitet të ri, duke nxitur përçarje dhe ndarje që nuk ka ekzistuar më parë.
Ai justifikohet me merakun se bektashinjtë mund të zhduken me kalimin e kohës, gjë që është e vështirë ta besosh, ngaqë komunitetin mysliman nuk e rrezikon zhdukja, sepse janë mbi një miliard në botë!
Pra, Kryeministri vetëm me këtë që thotë i ndan bektashinjtë nga myslimanët, duke i konsideruar ata një bashkësi më vete, aq sa merakoset se duke qenë pak, ata mund të zhduken!
Nuk e di pse nuk merakoset edhe për halvetitë, rifaitë, kaderitë, tixhanitë, e të tjera tarikate që vërtet janë në tretje e sipër, madje disa janë tretur, ndërkohë që prej tyre ka pasur atdhetarë dhe patriotë?! Apo ata janë myslimanë dhe komuniteti mysliman nuk humbet asgjë dhe bektashinjtë nuk janë?
Ta zëmë se bektashinjtë zhduken, thjesht ngelen myslimanë apo kthehen në fe të tjera, apo nuk kanë më asnjë fe? Nëse ata mbeten thjesht myslimanë, vetë ata nuk kanë humbur asgjë, sepse feja e tyre që ata deklarojnë është Islami, e bektashizmi nuk është fe më vete, por tarikat, si shumë të tjerë, të cilët kanë lindur dhe janë tretur me kalimin e kohës, por Islami si fe ka mbetur dhe do të mbesë.
Kështu që shqetësimi i Kryeministrit është krejt i pavend në këtë drejtim, duke u futur madje në gjëra që nuk i takojnë as si katolik që pretendon se është, dhe as si kreu laik i një shteti shekullar që përfaqëson.
Por nëse ka për qëllim t’i shndërrojë bektashinjtë de fakto në një fe më vete, duke i ndarë ata nga myslimanët e tjerë, atëherë është duke mbjellë farën e përçarjes dhe ndarjes që nuk ka ekzistuar më parë, dhe për këtë ligësi do të ngelet në histori për keq, duke i vënë vetes këtë damkë të zezë.
Por shumëkush mund të thotë se bektashinjtë kanë besime dhe praktika që i dallojnë ata nga myslimanët e tjerë, ndaj atyre u takon të jenë fe më vete.
Përgjigjja për këtë është shumë e thjeshtë: Zotërinj, si laikë e jomyslimanë që jeni, nuk iu takon të ndani se kush është mysliman dhe kush jo, dallimet dhe mospajtimet që kanë myslimanët mes tyre i përkasin debatit të tyre të brendshëm, se kush është mysliman ose jo, apo kush e ka Islamin e vërtetë, suni, bektashi, rifai, kaderi, selefi, vehabi, eshari, maturidi, gylenxhi, ihuanxhi… etj., nuk janë aspak punë e juaja, por pjesë e debatit dhe mosmarrëveshjeve të brendshme që kanë myslimanët mes tyre.
Ju nuk jeni të gatshëm të ndërhyni të zgjidhni asnjë ngërç jetik administrativ për myslimanët e Shqipërisë, që përfaqësohen nga myslimanë që nuk i përfaqësojnë, sepse jeni laikë dhe nuk përziheni në punët e fesë, por befas e tejkaloni këtë pengesë dhe promovoni se kush janë Islami tolerant apo i vërtetë!
Edi Rama, ti nuk je Profeti i myslimanëve, as Mehdiu dhe as ndonjë shpëtimtar i tyre, kështu që ndal!