
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Xhemal Qefalia zbuloi në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, se mund të ndërmerret në të ardhmen një nismë ligjore që do t’i hapte rrugën rikthimit të shërbimit të detyruar ushtarak në Shqipëri. Një element që del në pah sipas deputetit të PS në shtimin e kapaciteteve mbrojtëse, nuk është vetëm rijetëzimi i uzinave ushtarake, por edhe përforcimi i Forcave të Armatosura.
Kjo sipas Qefalias do të realizohej shumë mirë përmes shërbimit të detyruar ushtarak për një periudhë nga 3 deri në 6 muaj, siç ka nisur të aplikohet në Serbi, pas një vendimi të qeverisë firmosur verën e kaluar.
“ Ne kemi miratuar ligjin për rezervistët. Krijon mundësin që brenda një kohe prej 45 ditësh në vit mund të ftohen qytetarë kundrejt pagesës për të qenë pjesë e Forcave të Armatosura. Por, pse jo të kalojmë edhe një periudhë të shkurtër 3 deri 6 mujore të shërbimit të detyruar ushtarak, do ishte shumë mirë. Personalisht do të kisha shumë dëshirë ta propozoj, nëse do kisha edhe mendimin e kolegëve të mi të grupit të PS, pasi kjo do ti shërbejë sigurisë kombëtare në tërësi”, tha Qefalia.