
Dritan (Gramos) Rexhepi, i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ka dëshmuar për herë të parë gjatë procesit gjyqësor në GJKKO.
Ai ka hedhur poshtë çdo lidhje me Gentian Funiqin, duke deklaruar se nuk e ka takuar kurrë dhe se do ta vërtetojë këtë me prova.
Rexhepi ka sqaruar se në kohën e ngjarjes ndodhej në burgun e Pratos, i izoluar në një sektor me siguri të lartë për shkak të një apelimi në Firence.
“Ishte një periudhë kur qëndroja në siguri të lartë në burgun e Pratos, pasi kisha një seancë apelimi në Firence dhe më mbajtën për 10 ditë. Nuk e njoh Gentian Funiqin, nuk kam pasur asnjë kontakt me të dhe do ta provoj këtë me prova përpara prokurorëve”, ka thënë ai.
Gjatë seancës së të enjtes, avokatët e të pandehurve kanë kundërshtuar provat e paraqitura nga SPAK, duke kërkuar një shqyrtim të mëtejshëm të provave të paraqitura në proces.
Çështja e Jani Prengës
Prokuroria ka marrë të pandehur Rexhepin dhe gjashtë persona të tjerë, si organizator dhe porositës të rrëmbimit dhe vrasjes së shtetasit Jan Prenga në Kamëz.
Sipas SPAK këta kanë qenë personat që kanë kërkuar rrëmbimin e Jan Prengës, pasi vëllai i tij Astrit Prenga kishte grabitur një sasi kokaine në një port në Angli.
Për kthimin e lëndës narkotike, në bashkëpunim edhe me Aldo Majnishta, Martin Bleta, Korado Gështenja dhe Artan Doçajn ata kanë kërcënuar vëllain e Astrit Prengës, Jan Prengën që sipas hetimeve të SPAK, ky i fundit ka humbur jetën nga dhuna e ushtruar.
I pandehur për këtë dosje është marrë edhe shtetasi Altin Hajri. Në resortin e këtij të fundit dyshohet se u mbajt Prenga, por procesi ndaj tij është pezulluar.
Për këtë ngjarje, është dënuar me burgim të përjetshëm vetëm Festim Bexhdili, kopshtar i resortit.
Ky rrëmbim u urdhërua prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike. Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja.
Ndërsa ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.
Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz më 17 janar 2020 dhe trupi i tij nuk është gjetur.
Kompleksi “Golden” në Shijak shërbeu si skenë krimi për Jan Prengën, ndërsa policia me anë të pamjeve filmike provoi praninë e trupit të tij dhe vendosi pas hekurave Leonard Hajrin, Bajram Hajrin, Festim Bexhdilin, Olsi Turjan, si dhe Ardian Docajn./AlbanianPost/