Rritja e divorceve, alarm për strukturën familjare në Shqipëri…

Shpërndaje

Shkalla e divorceve në Shqipëri paraqet një tablo të ndryshme mes bashkive, e ndikuar nga faktorë si traditat, gjendja ekonomike dhe niveli i urbanizimit.

Sipas të dhënave nga Censusi 2023, kontrastet janë të mëdha: nga Finiqi me rreth 26 divorce për 1.000 banorë, deri te Hasi me vetëm 2.9 divorce për 1.000 banorë. Mesatarja kombëtare qëndron në rreth 11-12 divorce për 1.000 banorë, me 28 bashki që e kalojnë këtë nivel.

Në jug dhe në zonat urbane e turistike, si Saranda, Delvina, Korça, Dropulli dhe Finiqi, divorci është më i përhapur. Arsyeja kryesore janë lëvizjet e mëdha migratore dhe jeta e paqëndrueshme që sjell turizmi sezonal. Shpesh, emigracioni afatgjatë ndan familjet për vite, duke shtuar gjasat për ndarje ligjore.

Ndërsa në veri të vendit, sidomos në bashki si Hasi, Pusteci dhe Klosi, divorci është më i rrallë. Kjo lidhet me kulturën tradicionale familjare që ende mbizotëron në këto zona.

Në qytetet e mëdha si Tirana, Durrësi dhe Fieri, niveli i divorceve lëviz rreth mesatares kombëtare. Këto shifra pasqyrojnë ndikimin e urbanizimit, rritjes së pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe ndryshimeve në rolet familjare.

Kjo situatë thekson nevojën për përforcimin e shërbimeve sociale, sidomos në bashkitë ku divorci është më i lartë. Ndihma ekonomike dhe ligjore për prindërit e vetëm është jetike, pasi pasojat e ndarjes prekin jo vetëm çiftet, por edhe fëmijët – duke ndikuar në arsimin dhe mirëqenien e tyre emocionale.

Shpërndaje