
Përmirësimi i ofertës turistike në zonën Shkodër – Velipojë përmes investimeve në infrastrukturën rrugore është në fokus të një kontrate të lidhur së fundmi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Sipas njoftimit të bërë në sistemin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kontrata ka një vlerë prej rreth 2 mln euro, ndërsa punimet do zbatohen nga bashkimi i kompanive “K.N.P.SH. PAPENBURG & ADRIANI COMPANY dhe ALBTIEFBAU.
Tenderi u hap në korrik të vitit të kaluar, teksa në dokumentet shoqëruese bëhej me dije se projekti është një vazhdim i projektit të urës së re mbi lumin Buna në zonën kufitare Shqipëri – Mali i Zi. Ai do të lidhë urën mbi lumin Buna me rrugën nacionale Shkodër-Velipojë, pikën e kalimit kufitar dhe infrastrukturën ndihmëse.
“E gjithë zona përfaqëson një potencial të madh turistik, me destinacione të njohura si Shëngjini dhe Velipoja në anën shqiptare, me plazhe të paeksploruara por të mrekullueshme si Rana e Hedhun, Rrjoll, me laguna, ishuj, kodra, parqe natyrore, lumenj etj. dhe Ulqini në Mal të Zi me plazhe të mrekullueshme, të kripura dhe pasuri kulturore”,- thuhej ndër të tjera në procedurën e hapur në atë kohë.
“Rruga ekzistuese në të cilën shtrihet traseja e rrugës së re është një rrugë rurale që lidh zonën përreth fshatit Pulaj me Velipojën, duke u lidhur me rrugën Shkodër – Velipojë”, – shtohej më tej, duke përshkruar gjendjen e amortizuar në rrugës aktuale.
Kontrata e lidhur është pjesë e projektit 40 mln euro për Infrastrukturën dhe Turizmin në Shqipëri, që financohet nga Bashkimi Evropian./Scan