
Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun Shkodër, Shkelqim Sterkaj, gjatë një vizite në Lëpushë, Vermosh e Tamarë, solli në vëmendje potencialin e jashtëzakonshëm që ofrojnë Alpet shqiptare për zhvillimin e turizmit malor dhe agroturizmit. Me një angazhim të qartë për mbështetjen e këtyre zonave, ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së traditës dhe nxitjen e ekonomive lokale si rruga drejt zhvillimit të qëndrueshëm.
Postimi i kandidatit Sterkaj:
Në zemër të Alpeve shqiptare, ndjeva sërish sa shumë potencial ka kjo zonë për zhvillimin e turizmit malor dhe agroturizmit.
Lëpusha, Vermoshi, Tamara – janë emra që flasin për bukuri të rralla, për mikpritje të ngrohtë dhe për një traditë që duhet ruajtur e përkrahur. Këto zona nuk kanë nevojë të shpikin identitet – e kanë që prej shekujsh. Ajo duhet është vëmendja dhe mbështetja konkrete.
Promovim i agroturizmit, mbështetje e familjeve që hapin dyert për vizitorët, dhe nxitje e sipërmarrjeve të vogla që sjellin jetë në këto fshatra janë qellimi im.
Jam i vendosur ta çoj këtë zë në vendimmarrje. Sepse zhvillimi i qëndrueshëm fillon aty ku njerëzit nuk ikin, por ndërtojnë të ardhmen e tyre.
