
Një ekip shkencëtarësh çekë kanë zbuluar në Shqipërinë e Jugut, liqenin termal nëntokësor më të madh në botë dhe e kanë quajtur Liqeni Neuron, sipas fondacionit që financoi ekspeditën
Brenda luginave të zonave kufitare malore midis Greqisë dhe Shqipërisë, shkencëtarët çekë kanë eksploruar prej disa vitesh situatën komplekse nën tokë.
Në rajonin e Vromonerit, në anën shqiptare të kufirit, ata hasën në një sistem të gjerë shpellash në vitin 2021, të cilat që atëherë i kanë studiuar në detaje.
Sistemi përmban shumë burime të nxehta, që lëshojnë shtëllunga të larta avulli dhe gjurmimi i burimit të avullit i çoi ata të gjenin një humnerë mbi njëqind metra të thellë, të cilën e quajtën Atmos.
Në fund të asaj humnere, ekipi tani ka konfirmuar zbulimin e liqenit termal nëntokësor më të madh në botë të gjetur tderi sot.
Me gjatësi 138 metra, gjerësi 42 metra dhe perimetër 345 metra, mund të mbajë 8,335 metër kub ujë të nxehtë.

Richard Bouda, fotograf dhe speleolog, përshkruan se si u bë zbulimi:
“Gjatë eksplorimit fillestar, ne krijuam një hartë bazë duke përdorur pajisjet që kishim. Ne e dinim që atëherë, se kishim zbuluar diçka vërtet të veçantë. Falë Fondacionit Neuron, kemi blerë një skaner celular LIDAR, i cili na lejon të matim të gjithë shpellën dhe të gjithë zonën e liqenit. Ne do të bashkëpunojmë edhe me hidrologët, të cilët do të masin pjesën nënujore të atij liqeni duke përdorur sonar.”
Procesi me të cilin është krijuar shpella ku ndodhet liqeni është gjithashtu e pazakontë.
Uji mineral i liqenit është i ngopur me sulfur hidrogjeni, i cili, në kontakt me ajrin, oksidohet dhe prodhon acid sulfurik, që në mënyrë të vazhdueshme e kthen shkëmbin gëlqeror në gips të butë.
Puna e ekipit çek në Shqipëri do të kontribuojë në kuptimin e këtij lloji të rrallë të formimit të shpellave dhe ka më shumë punë për të bërë atje, siç shpjegon Richard Bouda:
“Falë shkencëtarëve me të cilët punojmë, ne e dimë se burimet përreth ushqehen me ujë nga liqeni. Ne besojmë se ky zbulim mund të kontribuojë gjithashtu në mbrojtjen e të gjithë zonës dhe në krijimin e një kuptimi më të mirë të hidrologjisë së saj, sepse deri më sot askush nuk e di se si janë të lidhura saktësisht këto ujëra nëntokësore me sipërfaqen.”
/ Radio Prague International, Shqip.al