
Që nga tetori 2023, të paktën 54.510 palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e ofensivës izraelite në Gaza, sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë në territorin palestinez. Vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar 40 viktima dhe 208 të plagosur, duke e çuar numrin total të të lënduarve në 124.901.
Shumë trupa mbeten ende nën rrënoja apo të pashpëtuar në rrugë, për shkak të vështirësive që përballen ekipet e kërkim-shpëtimit në terren. Pas ndërprerjes së armëpushimit dhe marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve më 18 mars, Izraeli intensifikoi sërish sulmet në Rripin e Gazës.
OKB dhe organizatat ndërkombëtare të ndihmës kanë ngritur alarmin për përkeqësimin e krizës humanitare në Gaza, ku mijëra familje po përballen me urinë dhe mungesën e nevojave bazë për jetesë.
Ndërkohë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant janë përballur me urdhër-arreste nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po shqyrton një padi për gjenocid ndaj Izraelit.