
RealitetiPost ka siguruar një deklaratë zyrtare nga KF Teuta, që garanton mundësinë e përdorimit të stadiumit “Niko Dovana” në Durrës për sezonin 2025–2026, në rast se ambientet e “Loro Boriçit” në Shkodër nuk do të jenë të disponueshme për ndeshjet kombëtare apo ndërkombëtare zyrtare.
Ky dokument, i nënshkruar nga presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelli, parashikon që stadiumi në Durrës të jetë i vlefshëm për Vllazninë vetëm nëse nuk ka mbivendosje me aktivitetet e planifikuara nga KF Teuta, dhe përdorimi i tij do të bëhet sipas tarifave të përcaktuara financiare.

Lëvizja vjen në një kohë tensioni të lartë mes Vllaznisë dhe Bashkisë Shkodër. Klubi kuqeblu ka akuzuar zyrtarisht institucionin vendor për shkelje ligjore dhe etike, pasi pa dijeninë e klubit janë nisur përgatitjet për një koncert më 21 qershor në stadiumin “Loro Boriçi”. Sipas drejtuesve të Vllaznisë, kjo bie ndesh me funksionin sportiv të stadiumit dhe nuk është e mbështetur në një vendim të miratuar nga Këshilli Bashkiak.
KF Vllaznia e konsideron “Niko Dovanën” një alternativë të domosdoshme, për të garantuar vijimësinë e angazhimeve në kompeticionet ndërkombëtare./RealitetiPost/